Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me profesionistë të lirë në njësinë 7, në Tiranë, ku u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me problemet që i shqetësojnë.  Një farmaciste ngriti shqetësimin për mënyrën e fiskalizimit, pasi sipas saj, për biznesin është kosto shtesë.

Ndryshimi i sistemit të taksimit disa herë në vit, sipas Bashës është tregues i ngecjes në vendnumëro të ekonomisë shqiptare. Kreu i opozitës shpjegoi planin e Partisë Demokratike që në radhë të parë synon të anulojë fiskalizimin, pasi sipas tij, kjo është një aferë korruptive që do të hetohet. Ai gjithashtu tha se me tavanin 0.5% të xhiros vjetore për taksat dhe tarifat vendore, si dhe pulla fiskale në hyrje të biznesit, janë dy garancitë e qeverisë së ardhshme që do të çlirojnë biznesin e vogël dhe të mesëm.

“Nuk është e rastësishme që ekonomia ka ngelur në vendnumëro dhe që në 8 vite janë ndërruar kushedi sa herë sistemet e taksimit të biznesit. I tillë është dhe i ashtuquajturi fiskalizim. Në fakt bëjmë gabim t’i themi fiskalizimi, është i ashtuquajturi fiskalizim, një aferë e nisur prej kohësh, e denoncuar nga ne dhe gjetën një moment, para zgjedhjeve, ku menduan se kanë bërë sa kanë bërë PPP e koncensione, e po bëjnë dhe fiskalizimin. Në fakt plani ynë është i qartë dhe i thjeshtë. Fiskalizimi do të anulohet! 600 deri në 2000 euro që duhet të paguajë biznesi i vogël, pasi i jepet fatura e energjisë dyfish krahasuar me dy vite më parë, pasi është rritur çmimi i naftës, pasi me çdo gjobë i merret fitimi i muajit, nganjëherë dhe i vitit. Biznesi i vogël nuk do të paguajë koston e fiskalizimit dhe kjo aferë do të hetohet deri në fund, ashtu siç kemi thënë prej ditës së parë, ashtu siç kemi denoncuar me fakte sepse për biznesin e vogël dhe të mesëm, që për ne fillon nga 140 milionë lekë të vjetra, do ketë një dhe vetëm një masë. 0.5% tavani i xhiros vjetore për taksat dhe tarifat vendore, një pullë fiskale në hyrje të biznesit, që do të ndalojë praninë e tatimorëve, janë dy garancitë që do të çlirojnë biznesin e vogël dhe të mesëm që është kolona vertebrale, është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Për farmacitë në veçanti kam edhe diçka tjetër. Në reformën tonë shëndetësore pa diskutim rimbursimin sipas diagnozës zë një vend të veçantë dhe një nga grupet e interesit me të cilën kemi diskutuar është urdhri i farmacistit, që ti japim fund majës së ilaçeve, që ilaçet që hynë në Shqipërisë të mos jenë skarco apo ilaçe fallco që i blenë dhe nuk të shërojnë. Prandaj ne do të rikthejmë cilësinë e barnave dhe do të kthejmë një kriter, në Shqipërisë të moshuarit shqiptar, pensionistët shqiptarë, foshnjet shqiptare dhe çdo pacient shqiptar do të kurohet vetëm me medikamente të aprovuar nga agjencitë e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Japonisë, Australisë, pra të vendeve të OESI-së. Reforma jonë shëndetësore do të mundësojë në radhë të parë që këto para të shkojnë për reformimin e shëndetit publik, që paraja të ndjekë pacientin dhe që brenda dy vjetëve të parë përmes kësaj reforme të ndalet largimi i mjekëve dhe infermierëve dhe të ofrohet cilësi e shërbimit shëndetësor në spitalet publike he në sistemin shëndetësor në tërësi, të paktën e të njëjtit nivel siç ofrohet në vendet e rajonit për të përparuar më tej pastaj drejt nivelit europian. E treta për farmacistët, dhjetëra-mijëra familje në Tiranë, ndoshta qindra-mijëra në gjithë Shqipërinë kanë kaluar COVID-in me një, dy, apo nganjëherë të gjithë familjarët e sëmurë me COVID. Po ashtu po hartojmë së bashku me ekspertët më të mirë, një paketë për rimbursimin retroaktiv me efekt prapaveprues të të gjitha familjeve të dëmtuara në financat e tyre nga pakujdesia, nga neglizhenca e nga braktisja e kësaj qeverie”, tha Basha.

Basha gjithashtu u shpreh se paketa fiskale që do të miratohet nga qeveria e ardhshme, e cila ka në thelb të saj taksën 9%, uljen e kontributeve shoqërore në 18% dhe heqjen e taksës Rama mbi karburantin, do të jetë më konkurruesja në rajon.