Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat pas takimit me ministren britanike për Evropën, u shpreh në lidhje me shkarkimin e Flamur Nokës se nuk do të lejojë që PD-ja të kthehet në bunker për interesa personale.

Lulzim Basha: Zotit Noka, i kam komunikuar shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Komisionit të sigurisë. Nuk e kam përjashtuar por e kam paralajmëruar. Sepse nuk mundet që PD që ka kundërshtar dhe armik, armikun e shqiptarëve, Edi Ramën dhe regjimin e tij të mbahet peng nga sajesa, shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë si opozitë që është lufta ndaj këtij regjimi. Kemi lançuar iniciativa të shumta opozitare dhe do të lançojmë të tjera për të zhbërë dhe gërryer themelet e regjimit Rama-Doshi-Rakipi. Nuk mund të mbetemi peng nga axhenda personale që kërkojnë ta kthejnë PD në një bunker për interesa personale të kujtdoqofshin këto. Shtrembërime të tilla nuk do të tolerohen.

Zoti Basha kush është llumi gjatë qeverisjes së PD?

Lulzim Basha: Fraza të dala indirekt apo dhe këtu nga këto shkallë të PD që janë sajesa dhe shpifje i shërbejnë Edi Ramës. Ato bëhen për të demoralizuar demokratët. Beteja është të mos shkelmojmë sakrificat e demokratëve. Kjo është arsyeja pse kam marrë një vendim në datën 9 Shtator në përputhje të plotë me përgjegjësitë e detyra e kryetarit të PD për të shmangur çdo tollovitjeje dhe mundësi përçarje të cilës i fryn Edi Rama dhe regjimi i tij. Regjimi i Edi Ramës nuk përbëhet vetëm nga një grusht pushtetarësh të korruptuar që nuk kanë të bëjnë me përfaqësues të thjeshtë. Përbëhet edhe nga oligarkë, edhe pronarë mediash, edhe nga anëtarë të krimit të organizuar. Këta janë llumi i tranzicionit. 30 vjet tranzicion, ndërrohen qeveritë, këta vetëm pasurohen. Statusi juaj vetëm përkeqësohet dhe beteja ime në krye të PD është me ta. Këtu kërkohet, fokus, vëmendje, guxim, mençuri. 

A ka pasur llum në kohën e qeverisjes së e PD? Pa diskutim që po. Një pjesë e kemi pastruar kur kemi qenë në qeverisje, një pjesë nuk ia kemi dalë dot ta pastrojmë. Njerëz që sot kanë kontrata me koncesionet e inceneratorëve. Njerëz që sot hapin gropa në Tiranë për të pastruar paratë. Njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe që janë të shantazhueshëm nga Edi Rama dhe janë shantazhuar nga Edi Rama për t’i shërbyer Edi Ramës, apo promovuar nga Edi Rama. Që këto para të vëna me praktika korruptive gjatë kohës që qeverisnim ne t’i përdorin për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe ndërkohë të akuzojnë kryetarin e PD se po u bëka presion demokratëve, kjo është e patolerueshme. Ndaj një gjë ta keni të qartë, PD është shpresa e vetme e këtij vendi. Është shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim. Ky është një moment fondamental ndryshimi. Kushdo që mendon që do ta kthejë PD në bunker për interesa personale, që do të ndryshojë orientimin tonë euroatlantik apo që do të thyejë vendosmërinë time për t’u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar që përfaqëson Edi Rama dhe regjimi i tij dhe bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes sonë, që siç e thashë e kemi pastruar atëherë dhe një pjesë tjetër ka mbetur e që demokratët e dinë shumë mirë, kush janë, ku janë e se çfarë pazaresh kanë bërë dhe bëjnë edhe sot me Edi Ramën. Kush mendon se mund të thyejë vendosmërinë time në këtë drejtim e ka shumë gabim. Nuk do të lejoj asgjë t’i bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve. Gjithçka e kam bërë dhe po bëjmë është në interesin më të mirë të demokratëve sepse nuk ka shpresë tjetër për ndryshim përveç PD dhe demokratëve shqiptarë.

Lulzim Basha foli për mediat pas takimit me Ministren britanike për Europën dhe Amerikat, Wendy Morton. Kreu i demokratëve tha se vizita e ministres tregon interesin të lartë britanik për Shqipërinë.