Partia Demokratike do të mbledhë nesër paradite forumet më të larta vendimmarrëse, Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të partië, të cilët do të vendosin për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve.
Komisioni do të ketë 5 persona në përbërjen e tij dhe do të asistohet nga Sekretariati ndihmës i Komisionit i përbërë nga dy persona.

Duket se demokratët do të kenë shumë punë gjatë muajit gusht, duke u marrë me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, finalizimin e programit qeverisës dhe përgatitjes së strukturave për zgjedhjet.

Sipas PD-së, Komisioni i Vlerësimit, si një strukturë e besueshme dhe me integritet, do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë.

Deri tani janë zbuluar emrat e dy prej themeluesve të PD, Genc Rulit dhe Besnik Mustafajt, të cilët do të jenë pjesë e këtij procesi unik, që ndodh për herë të parë në Shqipëri.

Instituti Republikan Amerikan IRI, konservatorët britanikë, CDU dhe forcat politike të PPE që kanë ndihmuar PD-në për këtë proces, duan ta shndërrojnë atë në model të demokratizimit të forcave politike për gjithë rajonin.

Propozimet e tjera ende nuk janë bërë publike, por Komisioni është konceptuar që të ketë në përbërje jo vetëm ish-drejtues të lartë të PD, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike, etj.

Ky Komision bën vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike.