“Ftesa e Ramës për bashkëpunim është një karrem për të ndryshuar ligjin zgjedhor, pasi ka bërë masakrën zgjedhore”. Kështu u shpreh para demokratëve të Dibrës, kreu në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

“Sot, kundërshtari politik, i cili në fakt, është armiku i demokracisë, i Shqipërisë dhe i dibranëve, po mundohet ta fshehë masakrën zgjedhore duke na shtrirë dorën për bashkëpunim, pa vija të kuqe siç thotë, duke hedhur karremin që hajde të ndryshojmë ligjin zgjedhor, pasi ka bërë masakrën zgjedhore.  Pra, duke dashur që në një moment ligështimi, dëshpërimi të qytetarëve, të kompromentojë të vetmen forcë që ai e di, që jo vetëm e ka përballë po që pavarësisht prej masakrës së 25 prillit, jo vetëm nuk u gjunjëzua, po doli më e fortë dhe më e bashkuar nga Dibra, anembanë Shqipërisë”.

Zgjidhja që ai propozon nuk është bashkëqeverisja me të keqen, por bashkimi i demokratëve për aksionin politik që i pret kundër regjimit siç e cilësoi ai Rama-Doshi.

“Dua t’ju them se zgjidhja që unë propozoj dhe me të cilën dua të vazhdoj t’ju udhëheq, nuk është ajo e kompromisit me të keqen por e betejës deri në fund për të çuar në greminë ata që i çuam buzë greminës me 25 prill. Unë jam këtu për t’ju thënë që rrugë tjetër për Partinë Demokratike, rrugë tjetër për Shqipërinë nuk ka. Bashkë, gjithmonë e më të bashkuar, ta çojnë betejën deri në fund! Këtë betejë ne nuk e nisëm për veten tonë, këtë betejë ne nuk do ta vazhdojmë vetëm për veten tonë. Ne do ta vazhdojmë për të gjithë shqiptarët dhe siç i morëm shqiptarët në kutitë e votimit me 25 prill, ashtu do t’i marrim me vete në këtë betejë sepse fati i Shqipërisë, tashmë varet vetëm nga ne”.

Në fjalën e tij Basha e vuri theksin te bashkimi i demokratëve për aksionin politik që i pret kundër regjimit siç e cilësoi ai Rama-Doshi. Ai u ka kërkuar demokratëve që të bashkohen në pjesëmarrje masive më 13 qershor në zgjedhjet e brendshme për kryetar të kësaj force politike.

“T’ia mohojmë kundërshtarit tonë dhe armikut të demokracisë dhe të shqiptarëve, kënaqësinë që këtë garë që e bëjmë për hir të rregullave, ta kthejmë në një mundësi për të na lidhur duart nga mbrapa, për t’u marrë me veten tonë, po le ta kthejmë në një bashkim të jashtëzakonshëm përmes pjesëmarrjes masive më 13 qershor si një stacion të rëndësishëm për t’i treguar shqiptarëve që demokratët e Dibrës dhe mbarë Shqipërisë janë në këmbë dhe për të na dhënë edhe një herë veglat, instrumentet, mundësinë për ta vazhduar betejën deri në stacionin e fundit, deri në rrëzimin e regjimit dhe sjelljen e demokracisë dhe të fitores të Partisë Demokratike”.