shqiptarët na ndjekin se e shohin që betejën s’e kemi për vete

Kryedemokrati Lulzim Basha ka denoncuar nga Durrësi projektin e Portit të Durrësit, që sipas tij është një aferë korruptive.

Ai zhvilloi një takim në qytetin bregdetar me mbështetës të PD-së ku premtoi se forca politike që drejton do bëjë gjithçka për ta bllokuar këtë projekt e për të mbrojtur pronat e qytetarëve që rrezikohen nga afera.

“Pse është çështja e Portit të Durrësit kaq e prekshme? E para punës se është një tjetër pronë korrupsioni. Nëse ti ke qëllim të ndërtosh të hapësh vende pune dhe të pasurosh këtë qendër nuk i bën punët natën, nuk i kalon ligjet në mesnatë pa konsultim, nuk sjell këtu një sheik, por del para durrsakëve e shpalos planin. Kjo është arsyeja pse PD dhe unë si kryetar kemi qenë kundër projektit të Portit të Durrësit  dhe do të hedhim të gjithë hapat ligjorë kushtetues, politikë që i ashtuquajturi projekt i Portit të Durrësit që aktualisht është një projekt fantazëm i Edi Ramës me një grusht oligarkësh të mos të bëjë asnjë milimetër përpara. Beteja jonë ka qëllim që t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve.” – tha Basha.

Më tej kreu i PD-së tha se shqiptarët e ndjekin sepse e kanë të qartë se beteja që po bëhet nuk është vetëm për PD-në po për gjithë Shqipërinë.

“A ka njeri në Durrës që nuk e di si bëhet kulisat e Foltores? Kështu do të vazhdojmë ne? Me gënjeshtra dhe mashtrime për hir të një personi. Prandaj jemi kaq sot. Shqiptarët nda ndjekin kur e kuptojnë se këtë betejë nuk e bëjmë për veten tonë por për të gjithë Shqipërinë. Kjo tollovi do të përfundojë shumë shpejt duke u ndarë shumë shpejt nga e kaluara U bëj thirrje të gjithë të larguarve, kthehuni në shtëpinë e lirisë. Nuk ka asnjë të tepërt në shtëpinë tonë të lirisë.” – shtoi Basha.