Situata e koronavirusit në vend paraqitet kritike teksa infektimet rriten thuajse çdo ditë me ritme të larta.

Bashkia e Pukës është institucioni i parë në Shqipëri që vendos kusht tamponin apo vaksinën për administratën. Në një deklaratë për mediat, kreu i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, ka njoftuar masat për të gjithë punonjësit e administratës.

Gjonaj ka njoftuar se të gjithë punonjësit e administratës duhet të sjellin kartelën e vaksinimit ose në të kundërt ata që nuk vaksinohen duhet të bëjnë tamponin çdo javë. “Kush nuk vaksinohet, çdo javë të sjell rezultatet e tamponit. Është koha të respektojmë jetën”, tha Gjonaj.

“E gjithë administrata duhet të vaksinohet dhe e dyta pa pasur parasysh dëshirën apo jo dëshirën, kemi vendosur se ato që nuk vaksinohen e kanë për detyrë që të vijnë me një fletë që të vërtetojnë se kanë bërë tampon, kështu që në këto kushte do i rikthehemi një punë shumë të madhe të sektorit të shërbimeve, për dezinfektimin e ambienteve. Tamponi është më i kushtueshëm që gjë është e kushtueshme dhe e bezdisshme, por do jetë ligj në përputhje me vendimet e Komitetit Teknik, apeli im për qytetarët është që të mendojmë më thellë për qëndrimin tonë ndaj vetes, ndaj shoqërisë, nuk duhet të veprojmë në kundërshtim me këto norma, ne duhet të nxjerrim mësime se patëm kohë për të mësuar që luftohet jo e fushata, por me masa konkrete. E rëndësishme që të mos na mungojë vaksinat, gjë që qeveria ka marrë masat. Të jemi në krye të kësaj detyrë, mundësitë vaksinuese janë të gjithë”, tha për mediat kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj.