BBC-ja shkruan për atë që e quan një goditje shkatërrimtare që presidenti i ri amerikan, Joe Biden, mund t’i japë Facebook-ut. Pas një hyrjeje ku flitet për ambiciet e Drejtorit Ekzekutiv të Facebook, Mark Zuckerberg, për t’u bërë President i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, media në fjalë vë në dukje qëndrimin e vazhdueshme të Biden kundër asaj që ndodh në Facebook dhe mënyrës sesi kjo platformë funksionon. Një ndër arsyet kryesore të kësaj kundërvënieje është edhe mënyra sesi republikanët shfrytëzuan Facebook në vitin 2016 dhe mandej skandali Cambridge Analytica.

Në këtë kuadër, sipas BBC-së, Biden ka një mjet të fortë ligjor në dorë për të përmbysur situatën: Seksioni 230 i legjislacionit amerikan për Internetin. Ky seksion parashikon se Facebook nuk mund të kallëzohet penalisht për ato që postojnë njerëzit. Biden e ka quajtur këtë rregullim të papranueshëm dhe se do ta revokojë menjëherë. Është një ndryshim shumë i thellë që do të vendoste platformën në një pozitë të vështirë dhe do ta ekspozonte atë ndaj rregullave që do të diktonin shtrëngime të tjera për përmbajtjen duke sjellë patjetër rënien e rolit të saj. Dhe ky është vetëm një nga problemet për Facebook përveç problemit të ligjit antitrust.

E nëse administrata e Obamës konsiderohej e afërt me Silicon Valley dhe Facebook, Biden edhe nëse ka qenë ndonjëherë mik i tyre, nuk është më.

Në fakt, presidenti e përmend shpesh Facebook si një fjalim për sëmundjet që ka sjell një internet i lirë i përdorur gabimisht. Duke folur për New York Times para një viti, ai tha: “Nuk kam qenë asnjëherë një fans i Facebook, sicc ju ndoshta e dini. Nuk kam qenë kurrë një fans i madh i Zuckerberg. Mendoj se ai është problemi i vërtetë”.