Bashkimi Europian akuzohet se po përdor rregullat dhe ligjet kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit si mjete për të mbajtur nën kontroll vende të treta më të varfra. Një artikull i “Financial Times” i krahason këto metoda me të njëjtat metoda të përdorura gjatë periudhës së kolonizimit të botës nga ana e perandorive europiane.

Në artikull thuhet se BE ka shndërruar në armë ekonomike kundër vendeve të treta rregullat që kanë të bëjnë me parandalimin e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave. “Financial Times” thotë se qëllimi i BE-së është i drejtë, por hartimi i listave me vendet në “listën e zezë” dhe të atyre me “rrezik të lartë pastrimi parash” është selektiv dhe përgjithësisht godet aftësinë e vendeve të vogla për të konkurruar ekonomikisht me ekonomitë e unionit.

Në thelb qëndron bindja e BE-së për të mbrojtur sistemin e vet me taksa dhe shpenzime publike të larta nga konkurrenca e vendeve që synojnë të kundërtën. Në të vërtetë, nuk është e shprehur kaq hapur, por në vend të kësaj, së pari ligjet e Bashkimit Europian për pastrimin e parave, thotë Financial Times, përjashtojnë vendet anëtare.

Për shembull, në vitin 2019, një studim holandez doli në përfundimin se çdo vit në Holandë pastrohen rreth 13 miliardë euro. Po ashtu, “lista e zezë” e BE-së për parajsat fiskale përjashton vendet anëtare, si Hungaria, Irlanda, Rumania, apo Bullgaria, megjithëse janë cituar nga Parlamenti Europian se kanë karakteristika të një vendi që konsiderohet parajsë fiskale.

Megjithatë, në tetor BE do të vendosë Bahamasin, Barbadosin, Botsvanën, Kamboxhia, Ganën, Xhamajkën, Mauritiusin, Mongolinë, Mianmarin, Nikaraguan, Panamanë dhe Zimbabven në listën e zezë të mekanizmit kundër pastrimit të parave. Vende të tjera janë Afganistani, Iraku, Pakistani, Siria, Trinidad Tobago, Uganda, Vanuatu dhe Jemeni.

FT vë re se në listë nuk ka asnjë vend me shumicë të bardhë të popullsisë, duke nënkuptuar se pas këtij vendimi të BE-së mund të qëndrojë një formë racizmi.

“Ndërkohë, BE ka folur pak, ose aspak për zonat me shumicë të bardhë që janë përdorur dhe përdoren për pastrimin e parave, përfshirë këtu Gjibraltarin, Britaninë e Madhe, Rusinë, e madje edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. BE-së as që i intereson se vende të fuqishme janë akuzuar se kanë financuar terrorizmin, si Arabia Saudite”, thuhet në artikull.

Po aty hidhen dyshime se vendimet dhe zgjedhjet e BE-së se cilin vend të vendosë në listën e zezë dhe cilin jo nuk përputhen me vendimet e ekspertëve globalë kundër pastrimit të parave dhe evazionit fiskal.

Sipas “Financial Times” me këto politika, BE kërkon që të “vrasë” alternativat më joshëse se ekonomitë e bllokut për investitorët. Në artikull, Brukseli këshillohet që në vend që t’u shpallë luftë vendeve të treta që aplikojnë taksa më të ulta, duhet të shohë brenda vetes.

“Në vend që të ankohet për politikat fiskale të vendeve të vogla, BE duhet të shohë brenda vetes. Nivelet e taksave, që variojnë nga 9 për qind në Hungari deri në 34.4 për qind në Francë janë më të larta se mesatarja globale. BE mund të bëhet më konkurruese në rang global duke ulur këto taksa, në vend që të vendosë në listën e zezë vende të vogla që guxojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre sovrane për taksa të ulta”, thuhet më tej në artikull.