Komisioni Evropian i kushtoi një vëmendje të veçantë problemit të personave të zhdukur gjatë kohës së komunizmit duke kërkuar angazhim të prokurorëve për hetimin e zhdukjeve dhe duke theksuar se vendi ka nevojë për “vullnet politik” për të rritur ndërgjegjësimin e popullsisë mbi këtë çështje. Raporti, [link] i cili u publikua të martën, thekson gjithashtu shqetësimet e krijuara nga databaza masive e të dhënave personale që besohet se i përket Partisë Socialiste si dhe gjendjes së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në vend, të cilën e përshkroi si “pa progres”.

“Gjatë periudhës së raportuar, zyrat e prokurorëve dështuan të kryejnë ndonjë hetim “ex officio” në rastet e personave të humbur gjatë kohës së komunizmit,” shkruhet në raport, hera e parë që problemi i mijëra viktimave të zhdukur dhe të pagjetur të kohës së komunizmit merr vëmendjen e Brukselit.

“Zgjidhja e rasteve ka mbetur e ulët pjesërisht për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve,” shkruhet më tej në raport. Vullnet politik nevojitet për të krijuar mekanizëm efikas bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse për të përforcuar ndërgjegjësimin e publikut mbi këtë çështje,” vëren komisioni.

Deri më sot qeveria “Berisha” dhe ajo “Rama” kanë krijuar deri më sot “task forca” për gjetjen e të zhdukurve të kohës së komunizmit por këto task forca nuk kanë gjetur deri më sot asnjë të zhdukur. Një projekt i Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, i financuar nga Bashkimi Evropian, dështoi të çajë përpara pasi hasi refuzimin e prerë të prokurorëve për të lëshuar urdhra për zhvarrime në vendet e njohura si të përdorura për groposje të ekzekutimeve të diktaturës komuniste. Procesi i Komisionit vuri në pah dallimin mes qëndrimit të autoriteteve shqiptare që lanë të kuptohej se dëshironin një proces historik pa hetime mbi rrethanat e zhdukjeve dhe ekzekutimeve të kohës së Komunizmit dhe qëndrimit të Komisionit për të kryer hetime të karakterit penal, me grumbullim provash përmes gërmimeve dhe hulumtimeve të autorizuara dhe mbikëqyrura nga prokuroritë.

Raporti i Progresit duket se theksoi se edhe qëndrimi i Brukselit është kryerja e hetimeve nga ana e prokurorive të ekzekutimeve dhe zhdukjeve të kohës së komunizmit si ngjarje të dyshuara kriminale me persona përgjegjës.

Media nën presion

Komisioni Evropian klasifikoi situatën e lirisë së shprehjes si “pa progres” përgjatë periudhës së mbuluar nga raporti. “Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe aktet e frikësimit kundër gazetarëve nuk është përmirësuar,” shkruhet në raport. “Sulmet kundër gazetarëve nuk kanë sjellë asnjë dënim final [të personave përgjegjës],” vijon më tej raporti.

Policia kritikohet për “përdorim të forcës së tepërt dhe të panevojshme” dhe për ndalimin dhe shoqërimin në komisariat të dy gazetarëve gjatë protestave të dhjetorit 2020 nga të rinjtë e zemëruar nga vrasja e një 25 vjeçari nga një oficer policie.

“Periudha e raportimit shënoi gjithashtu një numër në rritje padish për shpifje apo padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike kundër mediave apo gazetarëeve nga ana e kompanive të fuqishme dhe politikanëve me synimin për të censuruar dhe frikësuar median kritike,” shkruhet në raport ku vihet në dukje se rasti i tritolit të shpërthyer në shtëpinë e gazetarit Elidon Ndreka ka shkaktuar hapje hetimesh por jo gjetje fajtorësh.

Raporti thekson gjithashtu që media duhet të “vetërregullohet” dhe se ndryshimet ligjore të Ramës të njohura si “paketa antishpifje” duhet të respektojnë këshillat e Komisionit të Venecias dhe të kryhen në mënyrë transparente. Projektligjet e famshme kanë mbetur pezull në parlament pasi maxhoranca socialiste u detyrua të tërhiqet pa rrëzuar veton e presidentit Ilir Meta, i cili i ktheu ligjet për rishqyrtim. Rama deklaroi në një rast se do të tërhiqet nga ligjet por dekreti i Metës vijon të mbetet në kalendarin e parlamentit ndërsa zyra e OSBE-së për lirinë e shprehjes në Vienë ka njoftuar se qeveria shqiptare i ka komunikuar asaj dëshirën për t’i miratuar ligjet.

Raporti këshillon që Shqipëria duhet të “sigurohet për një politikë tolerance zero ndaj sulmeve dhe frikësimit të gazetarëve si dhe kërcënimeve ndaj medias, përfshirë në debatet politike dhe gjatë raportimeve nga protestat.”

Brukseli kërkon gjithashtu që Shqipëria të zbatojë kërkesa ligjore për transparencë nën pronësinë dhe financimin e medias si dhe kufizimet në pronësi apo të bëjë transparencë për reklamat publike.