Kryetari i Partisë Demokratike ka akuzuar Taulant Ballën për lidhje me anëtarin e bandës së Elbasanit, Gentian Sharra. Në një deklaratë jashtë parlamentit, duke iu drejtuar Ballës si Taulant Bego, Berisha tha se mes tij dhe Sharrës ekzistojnë 50 telefonata dhe qindra kilometra zbardhje të gjata të këtyre bisedave.

Sipas tij, Gentian Sharra është njeriu që ka blerë vota për Ballën dhe PS-në në Elbasan.

Deklarata e kryetarit të PD, Sali Berisha, jashtë parlamentit:

Parlamenti është shndërruar në dyqanin e Lindës. E trajton si dyqanin e vet me urdhër të Edi Ramës.

Dola këtu për të denoncuar publikisht lidhjet e mëdha dhe të tmerrshme të Taulant Begos me Gentian Sharrën, njërin prej anëtarëve më të rrezikshëm të Bandës së Elbasanit.

Mes Taulant Begos dhe Sharrës ekzistojnë të paktën 50 telefonata dhe qindra kilometra zbardhje të gjata të këtyre bisedave.

Biseda që e faktojnë Taulant Begon anëtar të inkriminuar të bandës së famshme të Elbasanit.

Taulant Bego ka marrë përsipër, ka dhënë porosi nga më të paligjshmet dhe ka kryer detyra nga më të paligjshmet në interes të Gentian Sharrës.

Pra Gentian Sharra është njeriu që ka blerë vota për anëtarin kriminel të Bandës së Elbasanit, që quhet Taulant Bego. Për PS-në dhe atë.

Ju bëj thirrje që të publikoni çdo regjistrim, çdo dokument, i cili implikon apo njëson Edi Ramën, bashkëpunëtorët e tij me Bandën e Elbasanit.

Bëhet fjalë për biseda për ngjarje të shumta. Po fole me bandat, flet vetëm për krimet, nuk flet për dashuri. Ta keni të qartë këtë.