Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se protestat do të vazhdojnë. Pas protestës së sotme në selinë blu, Berisha doli në një konferencë shtypi dhe deklaroi se vlerëson vendosmërinë e protestuesve dhe theksoi se shumë shpejt do të njoftohet protesta e radhës.

Ai deklaroi se e gjithë Shqipëria do të jetë në protestë. E ndërsa Basha e akuzoi Berishën për bashkëpunim me Ramën, edhe Berisha bëri të njëjtën akuzë.

Ish-kryeministri akuzoi Lulzim Bashën dhe Edi Ramën se kishin përgatitur së bashku një skenar dhune për t’u aplikuar sot në protestën e thërritur prej tij përpara selisë së Partisë Demokratike.

Berisha deklaroi se Lulzim Basha u kthye këtë të shtunë në ministër i Brendshëm i Edi Ramës dhe premtoi se protestat do të vijojnë shumë shpejt madje në të gjithë Shqipërinë.

“Pasi dështoi për të mbajtur selinë me vrasës, trafikantë, thirri dhe që i kishte pajisur me gaze, helme dhe mjete të tjera, mjete primitive nga huri te zjarri, thirri sipas skenarit të parapërgatitur narkobanditë me uniformë, narkopolicinë, duke ndërmarrë një reprezalje, dhunë dhe terror policor të paparë ndonjëherë ndaj demokratëve në protestën e tyre paqësore.

Sot u faktua përfundimisht se Lulzim brava ka një aleancë krimi, gazi, dhune ndaj demokratëve dhe PD me Edi Ramën, pengmarrësin e tij. E vërteta është se protesta madhështore e demokratëve siç ishit dëshmitarë, ishte tërësisht paqësore.

Vetëkuptohet kjo protestë kishte detyrë të hapte dyert e blinduara të mbyllura nga Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha. Në fakt protesta dyert i hapi. Nderim të madh të gjithë atyre protestuesve që me guxim, vendosmëri dhe gjakftohtësi çanë blindet e Edi Ramës dhe peng Bashës pa gërvishtur qoftë dhe një person të vetëm. Por natyrisht sasitë e mëdha të gazit që u përdorën të cilat tejkalonin çdo lloj limit, ka patur ndër të tjerë kolegë tuajt, fotografë të shquar, të cilët nga sasitë dhe toksiteti i gazit pothuajse po humbisnin ndjenjat dhe më shumë. Banditët e Edi Ramës u panë duke qëlluar me të gjitha mjetet mbi demonstruesit. Janë të plagosur dhe kanë kaluar nëpër spitale 12 demonstrues.

Janë të ndaluar pa asnjë motiv të rinj të kapur në rrugë për fajin e vetëm se kanë marrë pjesë në protestë rreth 41 protestues. Pavarësisht nga këto veprime të një tradhtari të vërtetë që sot nxori më shëmtuar se kurrë fytyrën e tij para shqiptarëve, të Lulzim Bashës në koordinim me Edi Ramën, ajo çka më ka impresionuar më shumë është vendosmëria totale absolute e protestuesve për të qëndruar të pamposhtur. Ata sot kanë vetëm një pyetje, kur do kthehemi përsëri. Unë i garantoj se Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD do t’u japë atyre përgjigje në kohën më të shpejtë.

“De facto sot Lulzim Basha zëvendësoi Çuçin”

Ne nuk jemi në betejë për një zyrë, ne jemi në betejë kundër një përpjekje armiqësore të hapur të Edi Ramës për të asgjësuar pluralizmin politik në Shqipëri. Pra ne jemi në një mision të një rëndësie të jashtëzakonshme. Sot pas 9 vitesh, shqiptarët panë se kanë më në fund një opozitë të vërtetë të tyre, një opozitë e cila është e gatshme të përballet dhëmbë për dhëmbë dhe tani ky regjim ka arritur deri në shkallë sa të emërojë dhe opozitën që do. De facto sot Lulzim Basha zëvendësoi Çuçin e familjen, u bë si ministër i Brendshëm i Edi Ramës në qëndrimin ndaj demokratëve.

Atyre që kanë ushtruar dhunë u them, keni kryer një krim të shëmtuar sepse kjo opozitë nuk mund të mposhtet dhe nuk mposhtet. Është e vendosur pavarësisht nga mjetet që do përdornin të përdorë të gjithë fuqinë e saj për çmontimin e narkoshtetit. Shqipëria e tërë, me një skenar të caktuar, do të jetë në protestë dhe vetëm protestë”, deklaroi Berisha.