Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë një interviste për emisionin “Opinion” i ka shpallur luftë të hapur kryedemokratit Lulzim Basha. Berisha premtoi se do të bëjë gjithçka “për rivendosjen e sovranitetit të PD-së, rikthimin e saj në parimet që sot u shkelmuan nga Lulzim Basha, dhe pa të cilat forca politike është fasadë-opozitë”.

Deklaratat erdhën pasi kreu demokrat, Lulzim Basha, tha sot pasdite se “për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”.

Berisha u shpreh se “sot, Partia Demokratike është shndërruar në një parti pa sovranitet, e cila dorëzohet e tëra lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros”.

“Nëse një force politike ia caktojnë të tjerët idetë, deputetët, ajo forcë politike nuk meriton të ekzistojë. Ajo i duhet tjetërkujt, por jo vendit të vet”, theksoi Berisha.

Kur u pyet mbi një marrëveshje të mundshme Rama-Basha, Sali Berisha deklaroi: “Kjo është më pak e keqja. E keqja e madhe është se kreu i partisë ia lejoi vetes se nga një presion shumë i madh, të marrë një vendim të tillë. Basha dhe partia mund të merrnin sanksione, por 1000 herë më mirë të mbetej sovrane. SHBA janë vendi i lirisë për një arsye thelbësore: sepse gabimet i korrigjojnë, sepse ata nuk thonë se nuk gabojnë. Unë ia kam paraqitur argumentet zotit Basha, por ai mori një vendim personal”.

Berisha shtoi se “do të qëndrojë në Parlament në mbrojtje të pluralizmit të vërtetë”.

“Basha i dha një shkelmim të tmerrshëm pluralizmit politik në Shqipëri dhe ky është dështimi më i madh për vendin. Nuk e zgjodha unë Bashën, por anëtarët e Partisë Demokratike, me një garë të hapur, por vendimi i tij i sotëm i ka bërë goditjen më të rëndë, për interesat e veta, vendit, PD-së dhe pluralizmit në Shqipëri. Do të bëj gjithçka për rivendosjen e sovranitetit të PD-së, rikthimin e saj në parimet që sot u shkelmuan nga Lulzim Basha, dhe pa të cilat forca politike është fasadë-opozitë. Do të marr çdo aksion për të rivendosur sovranitetin e PD-së. Do të krijoj aleancë, do të bashkëpunoj me çdo demokrat që beson se ky vend duhet të ketë opozitë sovrane”, shtoi Berisha.