Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se numri i shqiptarëve që shkojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe është shqetësues, por shprehu zhgënjim për etiketimet ndaj refugjatëve shqiptarë në ishull, ndërsa falënderoi mbretin Charles për ndërhyrjen e tij.

“Gjatë një viti, ky fluks ka mbërritur në 12 mijë, nga 800 që ishte në vitin 2021. Pa dyshim, kjo përbën një situatë serioze shqetësuese dhe polemika është e kuptueshme dhe e pashmangshme. Duke mos u pajtuar me asnjë etiketim ndaj refugjatëve shqiptarë nga mediat dhe politikanët, PD falënderon mbretin Charles për ndërhyrjen e tij”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

Kryetari i PD e quajti si të papërgjegjshme deklaratën e Edi Ramës ku fajëson autoritetet britanike, duke treguar me gisht konservatorët britanikë. “PD fton qeverinë, parlamentin dhe forcat politike të MB, të ndalen dhe të analizojnë shkaqet e vërteta të shndërrimit të shqiptarëve në popull të gomoneve nga qeveria e Edi Ramës. Kjo do i ndihmojë të kuptojnë më mirë se çfarë po ndodh në Shqipëri”, tha Berisha.

“PD deklaron se shkaku kryesor i shpopullimit të Shqipërisë është:

– Votimi fiktiv i shqiptarëve përmes dhunimit masiv të zgjedhjeve nga Edi Rama. Me zgjedhjet fiktive, Edi Rama ka vrarë shpresën te shqiptarët se pushteti mund të ndërrohet me votë.

-Vendosja e monizmit absolut falë votimit fiktiv. Sot Edi Rama kontrollon të gjitha pushtetet në vend. Me reformën sorosiane ai ka në kontroll të plotë sistemin e drejtësisë. Ai kontrollon 10 për qind më shumë pushtet se diktatori i fundit komunist në Shqipëri.

-Lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin dhe drogën dhe zëvendësimin e shtetit ligjor me të parin narkoshtet në Europë.

-Vjedhja e fondeve dhe pasurive publike dhe vendosja e sistemit të korrupsionit në vend. Me sistemin korruptim dhe vjedhjen e fondeve të vendosur nga Edi Rama, punët publike në Shqipëri kushtojnë 7-10 herë më shumë se në vendet e BE-së.

Vetë Edi Rama mori detyrën si kryeministër, i akuzuar nga prezenca e OSBE në Tiranë se ka të fshehura në bankat offshore 200 milionë euro dhe për këtë akuzë, Edi Rama nuk reagoi kurrë me asnjë formë kundërshtimi.

-Edi Rama jeton sot si kryeministri më i kushtueshëm në Europë. Ai ka realizuar me çartera 137 fluturime, përfshi këtu fluturime për të ndjekur ndeshje futbolli në Florida apo vakanca luksoze.

-Varfërimi progresiv i shqiptarëve nga politikat e Edi Ramës është shkak tjetër kryesor i shpopullimit të Shqipërisë. Në vitin 2013, shqiptarët kishin rrogën më të lartë në rajon, sot ata kanë rrogën më të ulët në rajon, 15-20 për qind më të ulët se Kosova, kurse çmimet e produkteve ushqimore janë 7 deri në 10 për qind se mesatarja e vendeve të BE, nafta shitet si në Zvicër dhe Gjermani.

-Së fundmi, një rol të padiskutueshëm luan herë-herë edhe korrupsioni politik ndërkombëtar për të siguruar mbështetje për regjimin monist të Tiranës”.