Sali Berisha mbërriti, këtë të premte, në selinë e Partisë Demokratike, i shoqëruar nga mbështetës dhe anëtarë të komisionit të rithemelimit. Edhe pse nuk u përpoq të futej brenda selisë, Berisha tha se Basha po e trajton shtëpinë e demokratëve si pronë personale.

“Këto janë skenat e një njeriu, i cili kalon nga skandali në skandal, në akte të turpshme, të një njeriu që dëshmon se nuk i ka mbetur qoftë edhe një grimcë më e vogël e integritetit moral dhe politik, integritetit qytetar”, tha Berisha.

“A mundet kush të imagjinonte se një ish-lider i ri do të mbyllte karrierën politike, në vend të nënshtrimit të verdiktit të 44 mijë anëtarëve të partisë së tij, me shndërrimin në bunker të selisë së PD-së, bllokimin e hyrjeve në këtë seli për deputetët e PD-së, mbushjen e selisë me kriminelë. Qëndrimi ynë nuk ka të bëjë me një zyrë, dhomë apo karrige, por ka të bëjë me zbatimin e parimit më themelor mbi të cilin ndërtohen organizatat e lira, ndërtohen shoqëritë e lira, vendet e lira”.

“Ftoj të gjithë anëtarët e PD-së, 44 mijë dhe të tjerët që nuk morën dot pjesë në referendum. Të gjithë ata që firmosën në liri shkarkimin e ish-kryetarit të tyre, të bashkohen për të marrë në dorëzim shtëpinë e tyre. Garantoj të gjithë punonjësit e kësaj ndërtese se protestuesit nuk kanë asnjë hatërmbetjen më të vogël ndaj tyre. Problemi i vetëm që kanë është hapja e dyerve të kësaj shtëpie dhe natyrisht çlirimi i saj nga pengu i Edi Ramës. Nesër ftoj të gjithë deputetët e PD-së të bashkohen këtu dhe të mos qëndrojnë më asnjë minutë me një njeri i cili partinë që ata i besuan, e ktheu në parti blindash, burgu, bunkeri dhe bravash”, tha Berisha.