Ai nuk ishte i ndjeri Gramoz Pashko i vitit ’92, as Neritan Ceka, as Arben Imami i rikthyer pa spaleta, as Preç Zogaj, as Arben Demeti, as Edmond Trako, as Abdi Baleta, as Petrit Kalakula, as Eduard Selami, as Dashamir Shehi, as Genc Ruli, as Aleksandër Meksi, as Genc Pollo, as Ylli Vejsiu, as Ferdinand Xhaferri, as Spartak Ngjela, as Bamir Topi apo Gazment Oketa, as i ndjeri Sokol Olldashi e as i fundit i larguar Astrit Patozi.

Nuk është as Jozefina Topalli që kurrë nuk e besoi se u largua edhe me bekimin e tij nga dera e PD-së.

Për fatin e njeriut që pati gjithçka në PD për 30 vite rresht, vendosi në vetëm pak orë, natën vone, para faktit të kryer, i zënë në çark, ai “samaritani” i mirë, i paracaktuari i tij, të cilit i fali partinë prej vitit 2013, e bëri ministër prej vitit 2005, i mbuloi aferën e Rrugës së Kombit dhe kapërdiu çdo humbje të PD në drejtimin e tij.

Fati i Berishës u vendos nga njeriu që kurrë nuk mori një vendim politik në jetën e tij. E bëri sonte dhe e tha edhe vetë. Ishte vendimi i jetës.

Një vendim për ta “ngrire” për ta lënë edhe brenda edhe jashtë Kuvendit, për ta lënë pa vend në sallë, i kujt dhe ku, atij që po i afrohet shemra e trete, ku krusma i ka mbaruar dhe së fundmi edhe emri…

Vetëm pak minuta video monologu nga zyra e tij, para një kamere dhe mimike të trazuar dhe një telefonatë 30 minuta më herët paracaktoi gjithë betejën politike të Sali Berishës me këdo që ka ikur dhe është rikthyer në PD. Nga Lulzim Basha. I zgjedhuri i tij. Produkti dhe fytyra që për ironinë e fatit krijoi vetë ai. Berisha u mund nga vetë ai…