Mark Lowen – BBC

A mundet Silvio Berlusconi, pavarësisht gjithçkaje, të bëhet president? Pavarësisht festave të shthurura, dënimit për mashtrim tatimor dhe listën e gjatë të skandaleve?

Talk show-t po e debatojnë, politikanët po e konsiderojnë. A mundet që 85-vjeçari Silvio Berluskoni, manjati i biznesit që u bë kryeministri më jetëgjatë i Italisë i pasluftës, të kurorëzojë karrierën e tij jashtëzakonisht të gjallë duke u bërë kreu i shtetit kur deputetët të zgjedhin në janar?

“Është ëndrra ime”, thotë Antonio Tajani, i cili bashkëthemeloi partinë e qendrës së djathtë Forza Italia në 1993 me Berluskonin dhe sot është nënkryetar i saj.

Biznesi, futbolli dhe politika

Në selinë e partisë, nën fotot e buzëqeshura të një Berluskoni më të ri, pranë fjalëve “ndershmëri, përvojë, mençuri”, ai flet për ngritjen e një njeriu, mbështetësit e devotshëm të të cilit e quajnë Il Cavaliere, Kalorësi.

“Berlusconi është një lider si sipërmarrës, një lider në sektorin e futbollit si pronar i AC Milan, një nga politikanët më të rëndësishëm në historinë e vendit tim, i cili ka punuar shumë në favor të marrëdhënieve transatlantike”, shpjegon Tajani.

Antonio Tajani

Arritjet politike të ish-kryeministrit janë lënë në hije nga akuzat e tij të panumërta penale, megjithëse i vetmi dënim që ngeci ishte për mashtrim tatimor dhe nga festat e tij famëkeqe, të cilat ai i quajti “bunga bunga”.

Dënimi i tij për seks me pagesë është rrëzuar megjithatë ai ende përballet me dy akuza për dhënie rryshfeti dëshmitarëve për të heshtur.

Pra, a ka ai moralin për të marrë postin më të lartë në vend?

“Ka shumë bla bla bla për këtë”, përgjigjet besniku i Berluskonit.

‘Njeriu më i persekutuar’

Fakti që Il Cavaliere po konsiderohet seriozisht si kandidati i së djathtës është në një masë të madhe për shkak të një perceptimi të përhapur midis italianëve se gjyqësori ka qenë prej kohësh shumë i politizuar dhe se ai ishte viktima e kësaj.

“Unë jam njeriu më i përndjekur nga prokurorët në historinë e botës”, tha ai dikur.

Ish balerina e klubeve të natës, Karima El Mahroug e njohur si Ruby ka qenë e përfshirë në një nga skandalet e Berlusconit

Por përtej vështirësive të tij të pafundme ligjore, moria e gafave të tij kanë kontribuar në një ndjenjë urrejtje mes kritikëve të tij.

Duke filluar nga deklarata për Barack Obamën “i ri, i pashëm dhe i nxirë” deri tek deklarata “është më mirë të pëlqesh gratë e bukura sesa të jesh homoseksual”, ai ka ditur si të argëtojë dhe tmerrojë njerëzit në të njëjtën masë.

“Sigurisht që disa fjali ishin të turpshme”, thotë Lia Quartapelle, deputete nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, duke zgjedhur fjalët e saj me kujdes.

“Por ne e kundërshtuam atë përtej skandaleve. Skandalet ishin një aksesor por ne e kundërshtuam Berluskonin me arsyetimin se nuk po bënte gjërat e duhura për vendin”.

Quartapelle ankohet gjithashtu për disa nga idetë e tij për çështjet e grave, të tilla si propozimi i një rroge për gratë që të qëndrojnë në shtëpi si amvise.

“Ky propozim ishte një autogol nga krahu i djathtë, duke mos marrë parasysh reagimet e mundshme. Italisë i duhet diçka ndryshe, jo një hap prap në të kaluarën”.

Tajani justifikohet me Mbretëreshën Elizabeth kur i përmendet mosha e Berlusconit.

“Shikoni mbretëreshën Elizabeth, njësoj do të ishte edhe Berlusconi”, përgjigjet ai.

“Problemi nuk është mosha, është mendja. Silvio Berlusconi nuk është vetëm e kaluara, ai është edhe e tashmja. Nga viti 1994 deri më sot në 2021, ai është ende në qendër të debatit politik pas shumë e shumë sulmeve. Kjo është një fitore për të”.

Presidenti aktual, Sergio Mattarella është një figurë krejtësisht e ndryshme nga Berlusconi

Pavarësisht nëse janë pro apo kundër, ka një konsensus të gjerë se Silvio Berlusconi ka qenë themelor në politikën moderne italiane: populisti, manjati i biznesit që i parapriu Donald Trumpit për më shumë se dy dekada.

“Berlusconi ka qenë një figurë e jashtëzakonshme, shumë e diskutueshme, por e rëndësishme dhe ai nuk kërkon hakmarrje, por rehati”, thotë profesori Giovanni Orsina nga universiteti LUISS i Romës.

“Ai dëshiron që vendi të pranojë se ai ishte një burrë shteti, jo një i dënuar”.

Pyetja është nëse ai ushqen ambicie presidenciale për të mirën e tij apo për të mirën e Italisë.

Në sytë e Berlusconit, të dy gjërat janë një dhe e njëjta, sipas Orsina-s.

Jeta e Silvio Berlusconit shpesh u ka bërë jehonë telenovelave që kanalet e tij televizive sollën fillimisht nga Amerika në Itali.

Ai është personi që njëherë e një kohë ishte zemra e Italisë, ishte heroi, i mbijetuari dhe ndoshta do të bëjë rikthimin e tij si një fëmijë që pret pak por merr shumë.

Giovanni Orsina beson se ai kurrë nuk duhet nënvlerësuar.

“Këshilltarët e Berlusconit thuhet se i thanë atij se ai ishte krejtësisht i çmendur kur u bë fillimisht një manjat televiziv dhe më shumë kur donte të bëhej kryeministër ndërkohë që ai është thjesht njeriu i të pamundurës”, thotë Orsina.