Sonila Bejtja, anëtarja e shtatë e Gjykatës Kushtetuese do të betohet të martën tek Presidenti.

Bejtja u dekretua të hënën nga presidenti Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Bejtja ka kandiduar për vendin e lënë bosh nga ish-anëtari Besnik Muçi, në nëntor 2019.

Për këtë vend kishin aplikuar dhe Altin Binaj e Zhaklina Peto.

Binaj u zgjodh anëtar në GjK, pasi kishte kandiduar dhe për një post tjetër. Ndërsa Peto ka paditur KED-in pasi pretendon se është përjashtuar nga gara në kundërshtim me ligjin dhe vullnetin e saj.

Vendimi i KED-it për të hartuar një listë me vetëm një kandidat është shkelje e Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Fillimisht, neni 125 i Kushtetutës parashikon se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese përzgjidhen nga kandidatët të renditur në tri vendet e para, nga lista e KED.

“Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.”

Kjo gjë përforcohet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku në nenin 7/c parashikon procedurën si zgjidhen anëtarët e GJK nga Presidenti i Republikës.

“Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës.”

Kështu KED duhet të hartonte një listë me tre emra që gara të quhet e vlefshme, në të kundërt duhet të njoftonte presidentin për të rihapur garën.