Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ka në plan të caktojë anëtarët e parë të kabinetit të tij të martën, tha një prej ndihmësve të tij kryesorë të dielën edhe pse Presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje republikanëve ta ndihmojnë atë në përpjekjen e tij ligjore për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Në një intervistë për rrjetin televiziv ABC, Ron Klain, i cili do të shërbejë si shef i kabinetit i zotit Biden në Shtëpinë e Bardhë, nuk pranoi të thotë se drejtuesit e cilave agjenci pritet të caktojë zoti Biden. Por presidenti i zgjedhur tha javën e kaluar se kishte marrë vendim rreth sekretarit të ri të Thesarit dhe se përzgjedhja e tij përfaqësonte “të gjithë elementët e Partisë Demokrate, nga ato progresiste tek ato të moderuara”.

Ndërsa zoti Biden pritet të bëhet presidenti i 46-të i vendit me inaugurimin e tij më 20 janar, zoti Trump ka refuzuar të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Të dielën, udhëheqësi në largim i SHBA-së shkruante për ndjekësit të tij në Twitter se: “ne do të gjejmë një numër masiv votash të manipuluara… Republikanë, luftoni me forcë“.

Por lufta ligjore e zotit Trump ka qenë e pafrytshme deri më tani. Zyrtarët e fushatës së tij kanë humbur ose janë tërhequr nga 34 procese gjyqësore ku ngrinin pretendime për manipulim me votat si dhe gjatë procesit të numërimit në shtetet kyçe, në të cilat ishte parashikuar të fitonte zoti Biden. Zoti Trump nuk ka arritur të ndryshojë rezultatin në asnjë shtet, duke lënë të paprekur shumicën e votave elektorale ende jozyrtare të fituara nga zoti Biden, gjithsej 306, kundrejt 232 që ka fituar zoti Trump.

Humbja më e fundit ligjore e zotit Trump lidhej me garën në Pensilvani, Zoti Biden fitoi 20 votat elektorale të këtij shteti me një diferencë prej 81,000 votash. Pasi u njoftua vendimi, një mbështetës kryesor republikan i zotit Trump në këtë shtet, senatori Pat Toomey, nxiti zotin Trump të pranonte humbjen në zgjedhje.

Pas një rinumërimi me dorë të 5 milionë votave, shteti i Xhorxhias çertifikoi të premten fitoren e zotit Biden, ndërsa Pensilvania dhe shteti i Miçiganit mund të bëjnë të njëjtën gjë të hënën. Ndërkohë zyrtarët e fushatës së zotit Trump kanë kërkuar një tjetër rinumërim votash në Xhorxhia.

Pavarësisht dështimit të disa padive ligjore, zoti Trump ka refuzuar të autorizojë administratën e tij për të bashkëpunuar me zotin Biden për kalimin e pushtetit.

Zoti Klain kritikoi drejtuesen e Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme, Emily Murphy, e cila është emëruar nga zoti Trump, për refuzimin deri më tani siç tha ai, për të njohur zotin Biden si fituesin e këtyre zgjedhjeve. Një gjë e tillë do të mundësonte që fondet federale të viheshin në dispozicion për transferimin e kontrollit të qeverisë. “Shpresoj që administratorja e GSA-së të bëjë punën e saj”, tha zoti Klain, duke iu referuar zonjës Murphy.

Ai tha se përpjekjet e presidentit republikan për të përmbysur rezultatet ishin të turpshme “dhe anti-demokratike”.

Një numër rekord amerikanësh refuzuan presidencën e Trumpit dhe që nga ajo kohë Donald Trumpi ka refuzuar demokracinë“, tha zoti Klain.

Ai shtoi se me rritjen e rasteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, inaugurimi i zotit Biden do të jetë ngjarje më e vogël krahasuar me atë që zhvillohet tradicionalisht, një ngjarje e madhe në shkallët e Kongresit, pasuar nga një drekë me ligjvënësit kryesorë, një paradë që nis në bulevardin Pensilvania deri në Shtëpinë e Bardhë si dhe një mbrëmje gala. Por ai tha se planet nuk janë finalizuar ende.

Do të festojmë, por thjeshtë duam ta bëjmë atë në një mënyrë të sigurt“, tha ai./VOA