Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i ri amerikan Joe Biden thanë se bashkëpunimi ndërkombëtar është jetik për tejkalimin e sfidave globale të tilla si pandemia e koronavirusit dhe ndryshimi i klimës.

Në bisedën e tyre të parë telefonike që kur Biden mori detyrën javën e kaluar, Merkel mirëpriti vendimin e kreut të ri të Shtëpisë së Bardhë për të kthyer Shtetet e Bashkuara në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Marrëveshjen e Klimës së Parisit.

“Kancelarja dhe presidenti i SHBA ranë dakord se nevojiten përpjekje më të forta ndërkombëtare për të luftuar pandeminë e koronavirusit”, tha Steffen Seibert, zëdhënës i Angale Merkel.

Udhëheqësit gjithashtu folën për çështje të politikës së jashtme të tilla si Afganistani, Irani, Kina, Rusia, Ukraina dhe Ballkani Perëndimor, së bashku me tregtinë dhe politikën e klimës, tha Seibert, duke shtuar se Merkel “deklaroi gatishmërinë e Gjermanisë për të marrë përgjegjësi për detyrat ndërkombëtare së bashku me dhe partnerët e tjerë transatlantikë”.

Kancelarja Merkel ftoi Biden-in të vinte në Gjermani sa më shpejt që situata epidemiologjike lejon udhëtimet.

Shtetet e Bashkuara janë tregu më i rëndësishëm i eksportit të Gjermanisë jashtë bllokut të vendeve anëtare të BE-së, por lidhjet tregtare janë përkeqësuar për shkak të politikës tregtare të Trump-it “Amerika e para”, siç është rritja e detyrimeve të importit.