Biznesmenët gjermanë kanë shprehur pakënaqësi ndaj synimit të qeverisë për të kufizuar fluksin e krahut të punës nga Ballkani Perëndimor në 25,000 në vit.

Biznesmenët thonë se rregullorja e Ballkanit Perëndimor, në fuqi që nga janari 2016, ka hapur mundësi punësimi në Gjermani për njerëzit nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa zvogëlon imigrimin e paligjshëm dhe përfaqëson një model të suksesshëm të politikës gjermane të migracionit, shkruan Handelsblatt.

Gazeta thotë më tej se “jo vetëm kompanitë, por edhe fondet gjermane të sigurimeve shoqërore përfituan nga fuqia punëtore shtesë”.

Sipas Deutsche Welle, projektligji për të cilin po punojnë ministritë, për të kufizuar numrin e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor në 25,000 në vit, është kritikuar nga disa anë. Handelsblatt citon politikanin e gjelbër Dieter Janecek të thoshte se është “një sinjal i pakuptimtë, pa mend dhe i gabuar” dhe shton se rezistenca po formohet gjithashtu në ekonomi.

Kundërshtitë

Achim Dercks, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Dhomës Gjermane të Tregtisë (DIHK), thotë se pas krizës, kur kërkesa për punëtorë të aftë të rritet përsëri, kontigjenti i parashikuar mund të kthehet në shuplakë. Shoqata Federale e Shoqatave Gjermane të Punëdhënësve (BDA) ka një pamje të ngjashme.

“Qeveria federale justifikon reformën nga njëra anë me faktin se rregullimi ekzistues skadon në fund të vitit, dhe nga ana tjetër thekson se kërkesa e lartë për viza paraqet një ngarkesë të madhe për konsullatat në Ballkanin Perëndimor. Pritja e gjatë për një vizë çon në pakënaqësi të punëdhënësve dhe punëtorëve, thuhet në projektligj.

Në vend që të përcaktojnë një kuotë, politikanët duhet të prezantojnë procedura më të efektshme të vizave, thotë Dercks i DIHK, duke shtuar se dixhitalizimi mund të ndihmojë ndjeshëm, sipas Handelsblatt.

Mbështetje e industrisë së ndërtimit

Gazeta shkruan për një aspekt të rëndësishëm për publikun gjerman, përkatësisht “një studim i ekspertit të migracionit Herbert Bruecker dhe kolegëve të tij nga Instituti për Kërkime të Punësimit (IAB) tregon se frika për fluksin e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor nuk janë materializuar.”

Pjesa e të papunëve dhe përfituesve të ndihmës sociale në mesin e atyre që vijnë nën Rregulloren e Ballkanit Perëndimor është më e ulta në krahasim me të gjitha grupet e tjera të migrantëve. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor gjithashtu kanë rezultuar më mirë përsa i përket punësimit dhe stabilitetit të pagave. Më shumë se gjysma e tyre (54 përqind) punojnë si profesionistë dhe punëtorë të aftë, ndërsa 42 përqind punojnë si të ashtuquajtur punëtorë ndihmës.

Handelsblatt thekson se “ka veçanërisht shumë punonjës nga Ballkani Perëndimor në Gjermani në industrinë e ndërtimit, e cila është fuqimisht në favor të zgjatjes së Rregullores.”

Shoqata Qendrore e Industrisë Gjermane të Ndërtimit (ZDB) vlerëson se afro 50,000 punëtorë ndërtimi nga Ballkani Perëndimor punojnë në vendet e ndërtimit gjerman, përfshirë punëtorët e përforcimit, të cilët vështirë të gjenden në Gjermani.