Lideri i demokratëve Sali Berisha tha se kishte tentuar të gjente gjuhën e komunikimit me Lulzim Bashën, por mënyrat e këtij të fundit për ta luftuar i quajti “monstruoze”. Berisha dha një shembull për të treguar se si, sipas tij, Basha kishte përdorur amerikanët kundër një grupi biznesmenësh, të cilët sipas Bashës ndihmonin Foltoren.

Listën me emrat e biznesmenëve, Basha ia dha Gabriel Eskobarit, u shpreh Berisha, duke zbuluar se më pas këta biznesmenë u thirrën një nga një në ambasadën amerikane në Tiranë.

“Z. Basha në vend të reflektimit për shkelmimin që i bëri statutit, anëtarësisë dhe parimeve të PD zgjodhi mashtrimin, mashtrimin dhe vetëm mashtrimin. Ai u ofroi bashkëpunëtorëve të tij mashtrime nga më monstruozet. Ai i ofroi një listë me biznesmenë që sipas tij sponsorizonin Foltoren z. Eskobar, absolutisht njerëz që nuk iu kam marrë asnjë qindarkë. Ai e përdori këtë vetëm për gjobëvënie. Ata u thirrën një nga një në ambasadë për të dhënë llogari, siç u thirrën gazetarët për të mos transmetuar Foltoren, duke shkelur nenin nr.1 të Kushtetutës së SHBA”, tha Berisha që mori shembullin e biznesmenit Myftar Lumneshit, të cilin Gazment Bardhi e akuzoi si pjesë të një grupi trafikantësh droge në Angli.