SI NDODHI QË NJË KANTAUTOR
“UZURPOI”
FRONIN E PËRBOTSHËM TË LETRAVE

BOB DYLAN
_____

PRAKTIKA
“ASHTU DUA”

Mbase nuk ka fitues tjetër në historinë disa shekullore të “Çmimit Nobel”, që të ketë shkaktuar kaq shumë reagime dhe kaq debate në botën e kritizerëve letrarë, por edhe në masën e gjerë të lexuesve. Ç’ishte kjo, të fitojë “Nobel” një autor tekstesh këngësh (për sa i përket letërsisë), në një kohë kur është injoruar një gjigand si Lev Tolstoi, me vepra po kaq gjigante, si në volum aq edhe në vlera të mirëfillta artistike?!
Kjo e papritur kaq e rrallë, ndonëse është vështirë të akumulohet nga një mendje normale letrare, megjithatë ka edhe ajo një fare shpjegimi, po të fokuzosh kohën që u krye dhe shkaqet që e përligjën. Ngaqë nuk ishte e vetmja dhe përsëritja nuk mund të konsiderohet rastësi. Habia shumëfishohet kur mendon se bëhet fjalë për “Nobelin”, çmimin më të madh letrar të botës, ku kriteret dhe përzgjedhja funksionojnë në shkallën më të lartë të efikasitetit. Por ndodh gjithmonë kështu?
Nga koha kur Sara Danius filloi të ushtrojë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Akademisë Suedeze, kanë ekzistuar dy fitues “jokonvencionalë” të Çmimit: një historian (!) dhe një këngëtar dhe autor tekstesh, aq sa vlerë mund të kenë ato në “peshoren” e cilësisë letrare. Kjo e fundit kishte njëqind vjet të ndodhte.
Zonja në fjalë, siç thuhet në qarqet e kritikës botërore të Letërsisë, ishte ajo e cila kërkoi nga Këshilli Vlerësues i Akademisë, që të ndryshonte mënyra e vlerësimit të kandidatëve, duke zgjedhur prej tyre edhe “të pa përshtatshmit” në dukje të parë. Fjala e saj në kurorëzimin e kantautorit Bob Dilan zbuloi qartë se Akademia e kishte filluar ndërkohë këtë ndryshim. Por tjetër ç’do dhe tjetër ç’mundesh dhe është e llogjikshme. Një njeri nuk mund të përmbysë me “ashtu dua” një histori të tërë, praktikuar në shekuj. E reja vjen gradualisht, llogjikshëm, stimuluar nga shkaqe të vërteta domosdoshmërie për progresin shoqëror dhe vërtetohetr nga koha. Prandaj u duk qartë se e gjithë kjo “risi rinovimi” iu kthye boomerang frymëzueses dhe shprehëses së saj. Ekzistonte një plan interesash, i cili qysh në fillim… “mbante erë”.

LETËR E HAPUR

Mund të pranohet se dikush që punon piktor, fotograf, artikullshkrues gazetash, sskenograf, skenarist filmash etj. mund edhe të fotojë “Nobelin” letrar? Është krejt absurde kjo mundësi, pasi është hiperbolikisht jo e zakonshme, por edhe tepër larg nga qëllimi i asaj që përkufizohet gjerësisht si letërsi, për qëllimet e çmimit. Por të mos e vemë dorën në zjarr, se ja, ndodh si me Bob Dylanin…
Mirëpo, kjo kolonjë ka kohë që kundërmon. Gjatë vitesh të ekzistencës së “Nobelit” kanë shkaktuar shumë të qeshura kandidatë që nuk përshtateshin me kriteret e një fituesi të një çmimi kaq të madh letrar. Kritika botërore gjithnjë ka theksuar se kriteret e Akademisë ishin përherë… të prapambetura. Por mund të thuhet fare mirë, që në ddisa raste ishin edhe… të stisura. Natyrisht, për të përmbushur qëllime të caktuara. Si bëhet kjo? Shumë prej këtyre kritereve mbështeten edhe nga statistikat e çdo kandidati, të shpallura qysh nga fillimi. Nga vetë Akademia. Një farë reklame imponuese. Ndryshe, pse do e bënte? Fituesi mund të binte jashtë nga këta parametra, por kjo gjë është gati e pamundur. Ngaqë loja promovuese stiset saktë dhe gjithçka ngjan mirë dhe bukur. Lexon më të shumtat e biografive krijuese,të dhënat që publikojnë entet botuese për fituesit, si edhe deklaratat zyrtare të Akademisë, që justifikojnë dhënien e çmimit dhe bindesh: po, po, ka diçka jo kaq të sinqertë në gjithë këtë histori!
Dy vitet e fundit, para se Bob Dylan të merrte çmimin, faqja zyrtare e Akademisë për “Nobelin” u tradhtua prej provash skandaloze, që rrëfenin parapërgatitjen e pranimit të kandidatit fitues të çdo here prej opinionit. Pak ditë para kurorëzimeve, kishim bombardime të vërteta të dhënash për fituesit e mundshëm (!) Sikur fotografohej: ky është përzgjedhja jonë, pranojeni! Shfaqja e këtyre të dhënave në çastet e fundit ra mbi kokat e shumicës së anëtarëve të komisionit gjykues dhe shkaktoi interpretime të gabuara. Rezultati: shumë poetë amerikanë – fitues të çmimit, dhe në vazhdim, gabimi i dytë, i ngjashëm me rastin e Rambrindanath Tagore, kantautorit të famshëm indian, i cili në vitin 1913 fitoi “Nobelin” e Letërsisë. Kësaj here, Bob Dylan në fronin e Letrave. Natyrisht, me kitarën e tij në dorë, në vend të një libri…
Të gjitha këto të mësipërmet përgatitën terrenin që kurorëzimi i Bob Dylanit të Stokhol, të paraqitej… i natyrshëm. Kjo ishte arsyeja që kandidimi i tij siguroi shumë baste të fituara. Ngaqë thjesht, tani së fundi historia me fituesit e “Nobelit” është bërë “letër e hapur”… Mund ta lexojnë të gjithë.

KRITERE TE ANASHKALUARA

Duket që kombësia ka rëndësi për fituesit. Më 1948 fitoi amerikani T.S.Eliot, një vit më vonë (1949) po një amerikan, William Faulkner. Më 2016, tani, Bob Dylan, një amerikan. Mos edhe vitin tjetër një i tillë përsëri? Ç’do gjë mund të ndodhë, gjersa ndodh kjo tjetra: gjersa një muzikant mund të fitojë në fushën e letrave, përse mos të vazhdojë ai avazi i vjetër me kombësitë e preferuara të tregjeve botuese të librit?
Rregull i Akademisë: kandidatët duhet patjetër të kenë botuar një libër të ri pesë vitet e fundit. Përndryshe, nuk do të fitojnë. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu, historia e Çmimit këto 100 vitet e fundit ka edhe raste të kundërt skandalozë. Shumë fitues, madje të famshëm, e kishin shkelur këtë rregull. Arsyeja: marrja e tyre me punë qeveritare, e cila i kishte ndaluar të botonin libra të reja. Megjithatë, kishin fituar. Raste të tillë: Frederic Mistral, me 7 vjet distancë nga botimi i librit të fundit, para se të merrte “Nobelin”. Paul von Heyse, me 10 vjet. Passtaj, Juan Ramón Jiménez, me 6 vjet dhe greku Jorgos Seferis, me 8 vjet midis botimit të fundit dhe fitimit. E, në raste të tilla, “prapambetja” e praktikave të kandidimit patjetër që duhet… modernizuar dhe… përshtatur me nevojat e vërteta të çmimit. Mbase ky “ligj i kohës së ndërmjetme të botimit para fitimit” është shkaku që shumë shkrimtarë të famshëm mbeten “kandidatë të përhershëm” , si Philip Roth, Cees Nooteboom, Peter Nadas, Kadareja ynë, etj. Në një kohë që kandidatë me vlera më të ulta, sipas mendimit të përgjithshëm, mbeten … të pakurorëzuar.
Ligj tjetër kushtëzues është mosha. Pranohet kandidimi i moshave 50 – 88 vjeç. Është shkelur edhe kjo normë. Joseph Brodsky fitoi më 1987, kur ishte vetëm 40 vjeç. Kjo “mungesë” nuk e pengoi as atë të merrte çmimin, por as Akademinë t’ia jepte. Rast flagrant kur regullat harrohen në sirtarë. Vërtet “rast i rrallë”, ngaqë është shumë e vështirë shkrimtarë kaq të rinj të “bien në sy” për t’u kandiduar.
Së fundi, shkrimtari duhet të ketë botuar të paktën 6 libra përpara kandidimit. Avash që nuk do kishte edhe këtu përjashtime. Gabriela Mistral e anashkaloi këtë kriter, pasi Akademia mbylli sytë. Kur u kurorëzua me “Nobel”, ajo kishte botuar vetëm tre përmbledhje poetike. Gjysma e punës, domethënë. Kaq mjaftonte në rastin e saj. Pse? E dinte Akademia Suedeze…

KOHËT E FUNDIT

Akademia ndalon rreptësisht pranimin e kandidatë që shkruajnë me pseudonime. Shkrimtari fitues nuk mund të jetë anonim, pa pashaportën e tij të saktë. Kandidati mund të mos paraqitet personalisht për marrjen e çmimit, por ai duhet të jetë njeri publik, i njohur qysh më parë. Mbase për këtë shkak, të shumë herë kandidatët Thomas Pynchon dhe Elena Ferrante nuk pritet të fitojnë kurrë. Sepse nuk paraqiten me emrat e tyre të vërtetë, por me pseudonimet letrare. Edhe Joyce Carol Oates, autorja e shquar amerikane e rreth 60 romaneve, vetëm gjer tek “Booker” dhe “Politzeri” arriti. Shkaku? Mania e saj të botojë disa nga romanet e veta me pseudonime. Të paktën, në një rregull kandidimi, Akademia është treguar korrekte.
Kohët e fundit, raporti i fituesve meshkuj – femra ka ndryshuar. Në listat e kandidatëve por edhe në përzgjedhje, femrat kanë përmirësuar ndjeshëm rezultatet e tyre. “Nobeli” disashekullor nuk mund t’i shmangej zhvillimit shoqëror. Ndonëse ka patur edhe zëra “konservatorë” në këtë drejtim: “Ky është një çmim letrar, jo për barazinë midis seksesve.” Por Këshilli Konkludues ka mbyllur veshët nga “sirinat” e vjetra dhe ka ndjekur, siç duket, zhvillimin shoqëror edhe në letërsi.
Diçka është edhe kjo…
______


Nga Grigor JOVANI
Athinë, 2016