Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka dalë kundër presidentit amerikan Donald Trump për ngjarjet e një ditë më parë në Uashington, ku protestuesit dhe mbështetësit e Trump u futën brenda Kongresit.

Johnson thotë se Trump luajti rol në këto trazira, që sipas tij, ishte pikërisht kreu i Shtëpisë së Bardhë që nxiti protestuesit përmes deklaratave.

“Për sa kohë që inkurajoi qytetarët të sulmonin Kongresin dhe për aq kohë sa Presidenti ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi rezultatin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, unë besoj se kjo ishte krejtësisht e gabuar. Për aq sa mund të them është se jam i kënaqur që Presidenti i zgjedhur tani është konfirmuar në detyrë dhe triumfoi demokracia”, thotë Kryeministri britanik Boris Johnson.

Macron reagon pas një dite: Ajo që ndodhi në Uashington nuk është Amerika

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është ndër liderët e fundit botërorë që reagoi për ngjarjet e një dite më parë në Kongres ku 4 persona mbetën të vrarë ndërsa 52 të tjerë u arrestuan për shkak të protestave të dhunshme.

Për mes një video të shpërndarë në rrjetet sociale, lideri francez shprehet se ajo që ndodhi mbrëmë në Uashington nuk është Amerika e vërtetë pasi njerëzit e këtij vendi besojnë te demokracia.

Më herët dhe kancelarja gjermane Merkel shprehu zemëratën për protestën në selinë e Kongresit, duke dënuar ashpër aktet e dhunës.