Bota shënoi një rekord të ri të rasteve ditore me koronavirus teksa regjistroi të paktën 338.779 të tilla gjatë ditës së enjte, një numër i padëgjuar që prej fillimit të epidemisë.

Rekordi i mëparshëm ditor ishte regjistruar më 2 tetor me 330 340 infeksione.

Lajmin e konfirmon Organizata Botërore e Shëndetit sipas të cilës vdekshmëria numëron 5.514 humbje jete.

Alarmi ngrihet për Europën gjithashtu pas raportimit nga Franca të mbi 18 mijë rasteve të reja në ditën e fundit. Pas Parisit, Marsejës, zona të alarmit të kuq janë kthyer tani edhe Lila, Grenoble, Lioni e Saint-Etiene.

Gjithashtu rritje të mëdha të rasteve të të infektuarve u raportuan dhe në Gjermani, Çeki, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.

”Ka shumë kompani në fazën përfundimtare të vaksinës, ne do ta kemi vaksinën në një kohë shumë të shkurtër, mendoj para zgjedhjeve, ndërkohë që FDA po vepron shpejt si kurrë më parë dhe po përshpejton kohën”, deklaroi të enjten presidenti amerikan Donald Trump në një video të postuar në Twitter.