Turqia do të dërgojë 3,250 policë dhe forca sigurie në Katar për Kupën e Botës 2022, tha të martën ministri i Brendshëm Suleyman Soylu, duke shtuar se Ankaraja gjithashtu ka trajnuar stafin e Katarit përpara garës.

Soylu tha se 3,000 policë dhe personel tjetër do të vendosen gjatë eventit të madh futbollistik, si dhe 100 anëtarë të njësisë së Forcave Speciale, 50 qen zbulues bombash dhe udhëzuesit e tyre, 50 ekspertë bombash dhe staf tjetër.

“Gjithsej 3250 nga stafi ynë do të punojnë përkohësisht në Katar në nëntor dhe dhjetor 2022 për 45 ditë për Kupën e Botës. Në këtë event, ku pritet të marrin pjesë mbi një milion fansa nga e gjithë bota, stafi ynë do të garantojë sigurinë”, citohet të ketë thënë Soylu nga Reuters.

Ai shtoi se Turqia ka trajnuar gjithashtu 677 personel sigurie të Katarit në 38 zona të ndryshme.

Turqia dhe Katari i kanë forcuar lidhjet vitet e fundit, ndërsa të dy vendet shpesh bashkëpunojnë për çështjet tregtare dhe ekonomike. Në 2010-ën, Katari fitoi të drejtën për të pritur Kupën e parë Botërore në Lindjen e Mesme. Eventi do të mbahet nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor.