Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi mbrëmjen e sotme se rritja rekord e shifrave në 24 orët e fundit është për t’u shqetësuar më shumë sesa mutacionet që mund të pësojë virusi.

Sipas tij, disa nga shkaqet për këtë rritje janë moskujdesja, temperaturat e ulëta, qëndrimi në ambientet e mbyllura, festat, mosrespektimi i masave dhe ndryshimet që ka pësuar virusi.

Ai gjithashtu u ndal të komentonte edhe arsyet përse disa persona jetojnë mes të infektuarve dhe nuk infektohen, duke u shprehur se gjenetika dhe kujdesi janë faktorët kryesorë.

Viruset kanë gjithmonë mutacione dhe do të kenë. Mund të jenë edhe më të rrezikshme, nëse mutacioni rrit virulencën, por deri në këtë moment nuk ka ndodhur. Zakonisht, viruset virulencën e kanë më të lartë në fillimin e epidemisë apo pandemisë dhe me kalimin e kohës virulenca ulet.

Ka shumë njerëz që jetojnë në mes të gjithë personave të infektuar dhe nuk po infektohen. Për këtë rast ndikon gjenetika, sëmundshmëria, si dhe kujdesi. Kjo familje ka ekzistuar dhe ne mund ta kemi takuar infeksionin e këtyre viruseve dhe mund të jemi të mbrojtur.

Unë nuk do të shqetësohesha për ndryshimin që ka pësuar virusi, por për përhapjen e shpejt të tij, pasi sot kaluam shifrën e 1 mijë të infektuarve. Virusi shkakton më shumë të sëmurë në një kohë më të shkurtër.

Shkaktarët për shtimin e rasteve janë 6: Moskujdesja, temperaturat e ulëta, qëndrimi në ambientet e mbyllura, festat, mosrespektimi i masave dhe ndryshimet që ka pësuar virusi. Maska duket sikur nuk funksionon, por funksionon shumë pasi nuk na lejoi të vinte edhe gripi”, u shpreh Brataj.