Në samitin “ Procesit të Berlinit”, kryeministri Edi Rama  nuk la pa përmendur akuzat e sekretares së brendshme britanike Suella Braveman, e cila duke akuzuar shqiptarët ngriti alarmin për emigrimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Fjala e kryeministrit Rama: “Nuk dëgjova asnjë politikan gjerman që të flasë dhe të thotë që shqiptarët janë kriminelë dhe të sjellin kriminelë dhe pashë një qeveri mjaft të interesuar për ta trajtuar çështjen e emigrimit për shqiptarët dhe për ecur në mënyrë konkrete duke e radhitur Shqipërinë në vendet e origjinës së sigurt, duke forcuar sistemin e aplikimeve dhe duke i dhënë fund praktikisht asaj trazire të atij momenti në mënyrën më të respektuar. Përfaqësuesit britanikë duhet të vijnë në Gjermani dhe të mësojnë shpejt dhe të ndreqin problemet e veta.

Më duhet të kujtoj këtu se qytetarë tanë që kanë mbërritur në Francë kanë qenë tërësisht të ligjshëm. Nëse ka problem në kanalin midis Francës dhe Mbretërisë le ta zgjidhin. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, por do të pranojmë këtë lloj retorike. Shqiptarët në Britani të Madhe janë plotësisht të integruar, komuniteti i shkëlqyer. Nuk janë miliona, janë 140 mijë. 70% e tyre janë larguar nga Greqia dhe Italia. Ka 1200 drejtues biznesesh që janë shqiptarë, ka akademikë. Kur vjen fjala për kriminelët që shifrat flasin për më pak se 1%. Të flasësh për gangsterë nuk tingëllon shumë britanike, por si një britmë në një çmendinë”.

Këtë të enjte, ka reaguar edhe zyra e kryeministrit britanik, Rishi Sunak. Zëdhënësja e Sunak tha se Britania ka një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë dhe i është falënderuese vendit tonë për punën që bëhet për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore. “Duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën që bën me ne në këtë drejtim”, thuhet në reagim.