Bullgaria po mban peng anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimit Europian për shkak të mosmarrëveshjeve midis saj dhe Shkupit.

Sofja ka në plan të shprehë kundërshtimin e saj të martën (17 nëntor) për fillimin e bisedimeve të pranimit në Bashkimin Europian me Republikën fqinje të Maqedonisë së Veriut duke bllokuar kështu edhe negociatat me vendin tonë.

“Dy vendet nuk kanë zgjidhur ende mosmarrëveshjet mbi historinë dhe gjuhën”, tha Ministrja e Jashtme Ekaterina Zaharieva.

Ministrat e Çështjeve Evropiane të BE pritet të diskutojnë fillimin e bisedimeve të pranimit me Tiranën dhe Shkupin të martë dhe nëse ndonjë vend voton kundër kornizës së negociatave, bisedimet e pranimit nuk mund të fillojnë zyrtarisht.

Ajo tha se Maqedonia e Veriut nuk po zbaton marrëveshjen e miqësisë midis dy fqinjëve ballkanikë të nënshkruar në 2017 dhe ka politika të bazuara në urrejtje ndaj Bullgarisë. Sofja dëshiron që fqinji i saj të pranojë që kombi dhe gjuha e saj kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron që ajo t’i japë fund retorikës anti-Bullgare. Shkupi argumenton se identiteti dhe gjuha e tij nuk janë të hapura për diskutim.

Përkundër bisedimeve në muajin e kaluar që përfshiu edhe Gjermaninë, e cila shpreson që negociatat me Maqedoninë e Veriut mund të fillojnë ndërkohë që Berlini ka presidencën e rradhës të BE deri në fund të vitit, fqinjët e Ballkanit ende nuk kanë arritur një marrëveshje.

“Askush nuk po e konteston të drejtën e tyre për të vetë-përcaktuar kombin e tyre dhe për ta quajtur gjuhën e tyre si u pëlqen. Por nuk mund të pajtohemi që kjo e drejtë të bazohet në urrejtje, vjedhje të historisë dhe mohim të Bullgarisë, ”tha Zaharieva. “Ekziston një konsensus në Bullgari që Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të ndalojë retorikën e saj anti-Bullgare dhe “falsifikimet e historisë”, para se të marrë dritën jeshile të Sofjes për të filluar negociatat. “

Një komitet historik dypalësh u krijua nën kushtet e traktatit të miqësisë për të zgjidhur problemet e interpretimit të historisë së përbashkët. Sidoqoftë, pala nga Shkupi i këtij komiteti thuhet se nuk ka rënë dakort për asnjë marrëveshje.

Bullgaria gjithashtu shpreh keqardhje që Shkupi bllokon qëllimisht projektet e përbashkëta të infrastrukturës. Sado e çuditshme mund të duket, nuk ka asnjë linjë hekurudhore midis Shkupit dhe Sofjes, si rezultat i pengesave që datojnë që nga kohërat Jugosllave. Lidhja rrugore midis dy kryeqyteteve është gjithashtu në një gjendje shumë të keqe.

Partneri i ri i koalicionit i qeverisë së Bojko Borisov, Patriotët e Bashkuar dhe në veçanti partia VMRO e zëvendëskryeministrit Krassimir Karakachanov, ka udhëhequr politikën e ashpër ndaj Shkupit..

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, i cili është një kritik i qeverisë për shumë çështje të tjera, është në të njëjtin bord për sa i përket Shkupit. Duke folur në kanalin televiziv publik BNT të Premten, ai tha se një zgjidhje e mundshme mund të jetë shtimi i një kapitulli shtesë 35 mbi çështjet bilaterale të pazgjidhura në kornizën e negociatave.

Një zgjidhje e tillë është përdorur në hartimin e kornizës së negociatave me Serbinë për shkak të mosmarrëveshjeve me Kroacinë. Por thuhet se Komisioni dhe anëtarët e BE janë kundër një kompromisi të tillë.
Diplomatët bullgarë pranojnë se kolegët e tyre të BE nuk e kuptojnë pozicionin e Sofjes ndaj Shkupit. Gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE në gjysmën e parë të vitit 2018, Bullgaria u përpoq fort për të dhënë një perspektivë të BE për Ballkanin Perëndimor.

Bullgaria ishte gjithashtu ndër vendet më aktive në përpjekjet vitin e kaluar për të kapërcyer veton franceze dhe holandeze në hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë.

Si pasojë, burime diplomatike të Bashkimit Europian bëjnë të ditur për Gazetën se nuk pritet të merret vendim mbi kuadrin negociues me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Për kuadrin negociues për Shqipërinë nuk ka kundërshtime, por këto kuadër negociuese nuk mund të aprovohen pa unanimitet në gjirin e shteteve anëtare.

Duke iu përgjigjur pyetjes së ABC, nëse për Shqipërinë drafti i konkluzioneve do t’i referohet 2 kushteve që mbeten për t’u përmbushur nga Shqipëria sipas Komisionit Evropian apo mund te ndryshoje sipas kërkesave të 5 shteteve anëtare mbi një kushtëzim me të rreptë për Shqipërinë, burimet diplomatike janë përgjigjur:

“Nuk pritet të këtë një diskutim të gjatë mbi kushtëzimin për Shqipërinë. Konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë do të mblidhet vetëm kur të jenë përmbushur kushtet . Kjo bën të kuptohet, se drafti i konkluzioneve për Shqipërinë mund të mbetet në formën e kushtëzimit me dy kushte lidhur me funksionimin e plote të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë dhe ndryshimin e ligjit për mediat, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.