Apeli i GJKKO ka dënuar me burg përjetë Festim Bexhdilin, kopshtarin e resortit ku u zhduk Jan Prenga.

Ai nuk ka pranuar akuzat në sallën e gjyqit, por Prokuroria e Posaçme e akuzon atë si bashkëpunëtor në vrasje.

Prokurorja Elida Kackini deklaroi se Bexhdili nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, po nga pamjet filmike dhe antenat celulare është vërtetuar se ai ka shkuar në kompleksin “Golden” në Shijak disa minuta pasi është dërguar i rrëmbyeri (Jan Prenga).

Sipas prokurores, kopshtari është marrë me pastrimin e vendit si dhe të nesërmen është larguar me një furgon dhe shfaqet me kazmë dhe lopatë.

Dyshohet se Festim Bexhdili e di vendin ku mund të jetë groposur Jan Prenga.

Porositësit e rrëmbimit, si edhe ata që dyshohet se rrëmbyen e torturuan për vdekje Prengën janë ende në arrati.

Sipas prokurorëve Elida Kaçkini e Behar Dibra, Jan Prenga u rrëmbye me porosi të Dritan Rexhepajt, aktualisht i burgosur në Ekuador dhe Gentian Funiqit. Qëllimi ishte shtrëngimi i vëllait të Prengës në Angli për të kthyer një sasi kokaine të vjedhur në Portin e Portsmouth, ku ishte trafikuar nga Ekuadori.