Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, vijon betejën me drejtësinë për t’i shpëtuar burgut. Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, Llalla ka apeluar këtë të hënë vendimin e shkallës së parë për pezullimin e dënimit me 2 vite burg. Pezullimi i vendimit kërkohet, pasi sipas mbrojtjes mbyllja e tij në qeli do t’i sillte pasoja të rënda për shëndetin.

Në 22 shtator, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimin me 2 vite burg për të për akuzën e “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë” dhe heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Vendimi i gjykatës ende nuk është zbatuar, pasi Llalla rezultoi të ishte larguar nga vendi disa ditë para shpalljes së tij.

10 ditë më parë ish-kryeprokurori, u shpall në kërkim ndërkombëtar. SPAK mbylli procedurat dhe dërgoi emrin e tij, në zyrën e Interpolit menjëherë pasi policia dorëzoi raportin për mosgjetjen e tij në banesë apo vende te tjera ku mendohej se ishte.

Adriatik Llalla është shpallur fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode. Ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth $7400 shpenzuar për lindjen e djalit të tij, shpenzimet për ndërtimin e katit të tretë të banesës si dhe shpenzimet për shkollimin e vajzës së tij në Gjermani.