Hasan Aliu, pushues nga Kosova, thotë se kishte qëlluar shumë afër 40-vjeçarit që humbi jetën të shtunën në Velipojë. Aliu tregon se ai e nxori burrin në breg gjallë, por ambulanca dhe ndihma e parë u vonuan. “Nuk po mundem të flas. Ka qenë shumë e vështirë, unë e kam nxjerrë në breg. Dy persona kanë ardhur më kanë ndihmuar”, tregon Hasan Aliu.

Ai thotë se i vjen shumë keq që nuk mundi ta shpëtonte të riun. “Erdhën vonë”, thotë ai për ambulancën me keqardhje që pushuesi nuk arriti të shpëtonte. Ai thotë se ambulanca vonoi 1 orë, kurse roje plazhi që të ndihmonin nuk kishte. Pushues i rregullt në zonë Aliu thotë se asnjëherë nuk ka parë shpëtues në kolibet e drurit të ngritura në rërë. “Nga 2001 vijmë këtu, nuk pamë akoma një roje bregdetare në kabinë”, – tha Hasan Aliu.

Punonjës policie në Velipojë i thanë BIRN se numri i të mbyturve apo personave që pësonin atak kardiak në ujë ishte rreth 8 çdo vit.

Të pyetur për mungesën e rojeve të plazhit dhe emergjencës institucionet iu referuan burokracive dhe procedurave. Qendra Shëndetësore u tha se nuk kishte qëlluar hapur pasi hapej me 15 qershor kur fillon zyrtarisht sezoni, ndërsa rojet e plazhin ishin ende peng i lejeve nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

Por pas vdekjes burokratët duket se u shkundën. Qendra shëndetësore u hap të dielën një ditë pas fatkeqësisë.

“Duke filluar që ditën e sotme, pas rastit që ndodhi dje (të shtunën), Qendra Shëndetësore do të jetë e hapur tani në sezonin turistik. Do të jetë ambulanca 24 orë si çdo vit”, tha infermierja Vjollca Vocaj, pas hapjes së qendrës.

Por ndryshe prej saj rojet e plazhit si zor se do mund të jenë në kohë në kabina. Gentian Mema përgjegjës për turizmin në Bashkinë Shkodër i tha BIRN se nuk është bërë akoma shpërndarja e stacioneve të plazhit, e filluar vetëm më 25 maj, nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, AKB,  në mënyrë që bizneset të fillojnë të punësojnë roje plazhi.

AKB u përgjigj me një sërë referencash ligjore pyetjeve të BIRN, por nuk dha shpjegim pse procedura ishte me vonesë ndërkohë që në bregdet plazhi kishte filluar. AKB tha se aktualisht ishte ngritur një grup pune, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe ende po kryheshin verifikimet e aplikimeve.

Ardit Taflaj, Roje Bregdetare i licencuar, është i revoltuar me burokracitë dhe zbatimin e rregullave vetëm në letra. “Burokracitë shtetërore po kushtojnë jetë njerëzish”, tha ai.

Taflaj i tha BIRN se një vit më parë ai kishte nxjerrë nga deti 4 persona që rrezikonin mbytjen, por sipas tij ai është ndër të vetmit që bën atë punë në zonë, pasi shumica e hoteleve e kanë shërbimin me kohë të pjesshme ose vetëm në letra. “80% e hoteleve në Velipojë nuk ofrojnë shërbim full time të rojeve bregdetare ose bëjnë kontrata fiktive vetëm për të siguruar stacionin e plazhit”, thotë ai.

Por Taflaj thotë se kohët kanë ndryshuar dhe bizneset dhe vetë shteti duhet të zbatojnë rregullat, përndryshe rrezikojnë penalitete, pasi pushuesit nuk do të falin më neglizhencën.

“Unë gjithashtu jam ekspert ligjor dhe kam firmosur dokumentacionin e ekspertize ligjore të një rasti në plazhin e Durrësit për të cilin familjarët i kërkojnë shtetit 480 mijë euro në gjykatë, pasi u provua se në bregdet mungonte roja bregdetare”, thotë Taflaj.

Pushues në protestë pas mbytjes së 40-vjeçarit. Foto:Emi Kalaja

AKB i tha BIRN se këtë vit do të kontrollonte nëse kontrata po zbatohej dhe nëse nuk gjendeshin në punë rojet e plazhit, subjektet do të humbisnin kontratën. “AKB do të verifikojë çdo sinjalizim të pushuesve në lidhje me praninë e vrojtuesve të plazhit në subjektet që do të nënshkruajnë një kontratë”, thuhet në përgjigje.

Por bizneset lokale thonë se është AKB që po i penalizon duke vonuar lejet dhe duke dëmtuar imazhin e zonës. “Kjo që po ndodh prishjet e ndërtimeve në muajin qershor, mbytjet, protestat e pushuesve mungesa e stacioneve të plazhit janë minuse të forta në promovimin e turizmit dhe kanë impakt negativ në imazhin që krijohet”, tha Lekë Marku biznesmen në Velipojë.

“Unë për vete kam aplikuar për stacion plazhi, jam gati të plotësoj çdo kriter, por nga Agjencia e Bregdetit më thuhet prej kohësh se “Kërkesa është në shqyrtim”. Këto vonesa janë kosto në çdo gjë”, thotë Marku.

Bizneset thonë se e kanë të vështirë edhe të gjejnë roje plazhi. Erald Erkoci, i cili po ashtu ka aplikuar për një stacion plazhi nga Agjencia e Bregdetit thotë se ata që licencohen dhe kanë përgatitje shkojnë e gjejnë punë në Ulqin, ndërsa për ta është e vështirë që t’i paguajnë. “Rojet kemi shumë vështirësi t’i gjejmë, pasi duhen të licencuar. Ka një numër të vogël të tillë dhe shumica zgjedhin Ulqinin për të punuar”, thotë ai, ndërsa kërkon që rojet të jenë të punësuar publikë dhe të paguhen përmes taksave nga bizneset që shfrytëzojnë bregdetin.

Për pushuesit nuk kanë shumë rëndësi format. Hamid Restelica, po nga Kosova, i tha BIRN se çdo vit 4-5 persona vdesin në plazh. “Dje iku djali 40-vjeçar prej Fushës së Kosovës. Iku për mosdije”, tha ai, ndërsa tregoi se prej 20 vjetësh pushonte në të njëjtin vend.

Ai thotë se nëse do të ishin shpëtimtarët apo rojet e plazhit rastet e fataliteteve mund të uleshin.  “Por si vdesin, duke mos pasur kujdes dhe ndihmën e shpëtimtarëve. Nëse i kemi zvogëlohen rastet e vdekjes”, thotë ai./Birn