Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati e konsideron një vlerë të shtuar për Kosovën procesin zgjedhor që u mbajt më 14 shkurt. Për këtë, frymën e këtyre zgjedhjeve ai do të donte që ta përqafonte edhe Partia Socialiste në Shqipëri.

Në një intervistë për gazetaren Bruna Çifligu në Euronews Albania, Bushati e konsideroi fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje si “fitore mbi modelin e vjetër politik”. Ndërsa tha pozitivisht se angazhimi i Lëvizjes për t’u përfshirë në zgjedhje edhe në Shqipëri “shton konkurrencën dhe cilësinë e zgjedhjes”, ai nuk e shprehu qartë nëse do të ishte apo jo kandidat për deputet i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Për zgjedhjet në Kosovë Bushati tha se “pjekuria e treguar” me standardet e respektuara “kënaq edhe partnerët ndërkombëtarë si Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian”. I pyetur për faktin se Kurti e ka konsideruar si jo kryesor dialogun me Serbinë në qeverisjen e tij Bushati u shpreh se nuk e shihte problematik çështjen pasi si Albin Kurti edhe Vjosa Osmani i kanë shprehur qartë qëndrimet me Beogradin dhe ndryshimet e administratës në Uashington mund të shërbejnë për ta zgjidhur më drejtë dialogun.

Gazetarja Çifligu e ktheu diskutimin te Vetëvendosje në Tiranë, e cila po mbledh aktualisht firmat për të kandiduar në disa zona kandidatë të pavarur nën siglën e saj.

“Nga konkurrenca qytetarët do të kenë mundësi që nga një buqetë me lule të zgjedhin lulen më të mirë, në kuptimin figurativ, si përfaqësues i PS-së më intereson që një pjesë të mirë të frymës pozitive që përçohet dhe që ndihet edhe në rrugët e Tiranës nga zgjedhjet e fundit në Kosovë të përqafohet nga PS-ja,” – tha Bushati i cili e konsideroi veten kontribuues për një të majtë demokratike dhe kombëtare.

I pyetur për mundësinë e ri-kandidimit në zgjedhjet e ardhshme nga PS-ja, Bushati tha:

“Besoj se politika është vokacion dhe nuk lidhet me asnjë ofiqi apo procesi qoftë kjo me ndonjë pozicion të caktuar qeveritar apo parlamentar, për mua është me rëndësi që një pjesë e këtyre ideve, të cilave u ka ardhur koha të përqafohen edhe në Shqipëri me ndjeshmëri dhe përgjegjësinë e duhur nga PS-ja për të qenë forcë politike konkurruese, e cila punon për më të mirën e qytetarëve të saj.”