Në prag të Juve-Napoli ka folur një ish-lojtar i shkëlqyer i të dyja skuadrave: Fabio Cannavaro. “Topi i Artë” në vitin 2006 dhe trajner i Guangzhou Evergrande ka folur për “Gazzetta dello Sport”:

“Kur Juve zgjodhi Andrean, e dinte shumë mirë se ai nuk kishte përvojë. Dhe është logjike që ai të ketë kohën e duhur për t’u pjekur, edhe në marrëdhëniet me ekipin. Ka akoma 30 pikë në lojë, kështu që është e drejtë për ta lënë të qetë trajnerin. Dhe pastaj ai ka bërë gjëra të mira, duke promovuar lojtarë të rinj dhe menaxhuar një dhomë të komplikuar zhveshjeje, me njerëz që kanë fituar shumë.

Sigurisht, disa gjëra nuk funksionojnë si duhet, por kushdo gabon. Edhe ai është njeri. Sidoqoftë, Pirlo është një trashëgimi bardhezi, që duhet të mbrohet. Juventusi do të gabonte dy herë nëse do ta largonte trajnerin tani. Dhe pastaj nuk është se gabimet mund të jenë vetëm të tij. Mos harroni se në fushë luajnë lojtarët, po gabimet e tyre nuk i llogarisni…”

Nga një mik te tjetri, Rino Gattuso. Çfarë po ndodh te Napoli? Përgjigjet Fabio Cannavaro: “Efekti i lavatriçes, siç e quaj unë. Çfarë ndodh në qytetin tim, si në pjesën tjetër të Italisë, me njerëz që fyhen, mbyten dhe më pas… thahen në një shakullimë pa respekt. Kjo i ndodhi Pirlos, madje edhe Pippo Inzaghi, i cili para se të fitonte te Juve ishte shumë i kritikuar. Shumë teprime dhe nuk e them sepse po flas për miqtë e vjetër.

Dy muaj më parë, Rino ishte i kritikuar nga të gjithë. Por, për trajnerin llogariten numrat. Tani që vjen nga katër fitore radhazi dhe më në fund ka në dispozicion lojtarët e rëndësishëm, që mungonin për një kohë të gjatë, të gjithë janë bërë memecë. Shpresoj të mos thonë se këto rezultate janë rezultat i fatit…”

Futbolli italian ndër më të këqijtë.Më vjen keq, por futbolli italian është bërë një nga më të këqijtë në Europë. Edhe MLS amerikane është e organizuar më mirë sa i takon infrastrukturës. Gjithashtu kemi edhe atë vendimin e klubeve tona për të marrë lojtarë në fund të karrierës dhe jo për të investuar tek të rinjtë. Loja është e një niveli më të ulët dhe kampionati normalisht bëhet më pak magjepsës, edhe pse jemi të bindur se taktikisht ne jemi më të mirët.

Gjithsesi ka disa elementë që na bëjnë të shpresojmë në rilindje, pavarësisht gjithçkaje. Sa i takon lojës, ne kemi një ekip kombëtar të bukur, modern për sa i përket konceptit të lojës. Luan pa frikë dhe jam i bindur se do të jenë protagonistë në Europian dhe Botëror, edhe pse deri tani kanë luajtur vetëm ndeshje kualifikuese.

Pastaj, në lidhje me organizimin, jam duke ndjekur një Master të organizuar nga FIFA. Ditët e fundit kam ndjekur me kujdes leksionet e CEO-s së Milanit, Ivan Gazidis. Ai shpjegoi se, në mënyrë paradoksale, futbolli italian ka mbetur aq larg sa që ka hapësirë më të madhe për rritje. Dhe jam dakord që pronarët e huaj që kanë marrë klube italiane po investojnë për këtë arsye”, përfundoi Cannavaro.