Besniku i Angela Merkelit, Armin Laschet, i cili që nga janari është në krye të CDU-së, mbështetet tani nga kryesia e partisë edhe si kandidat për kancelar në zgjedhjet parlamentare më 26 shtator.

Sipas zëdhënësit të CDU-së, Laschet u mbështet nga 31 anëtarë të bordit kombëtar ndërsa nëntë vetë votuan rivalin e tij, Markus Soeder, kreun e Bashkimit Kristian Social. Në votimin e kryer të hënën vonë, pati gjashtë abstenime pas gjashtë orë debatesh.

Tradicionalisht blloku konservator CDU/CSU, që tani është në koalicion me Social Demokratët, zgjedhin një kandidat për kancelar. Por këtë vit të dy kryetarët e vunë emrin në garën për postin më të lartë qeverisës.

Laschet tha se do të propozonte një rrugëzgjidhje për bllokimin dhe shpresoi që vendimi përfundimtar të merrej brenda javës, ndërsa ftoi Soeder për një takim online. Soeder tha se i takonte anëtarësisë të vendoste.

Aleanca e qendrës së djathtë e Gjermanisë është blloku më i madh në parlament dhe pavarësisht sondazheve, pasardhësi i Merkel ka të ngjarë të vijë nga radhët e saj.

Laschet ka mbështetjen e figurave të larta të CDU-së, ndërsa Soeder ruajti besnikërinë e partisë së tij. Laschet, megjithatë, ka vlerësime të ulëta sondazhesh kombëtare në krahasim me Soeder dhe ligjvënësit e CDU-së druhen se do të humbasin më shumë vende në parlament.

60-vjeçari Laschet, u zgjodh drejtues i CDU-së në janar dhe është gjithashtu kryeministri i landit të Westfalisë Veriore, landi më i populluar i Gjermanisë. Ndërsa kandidati tjetër për kryeministër Marcus Söder i CSU-së, është kryeministri i Bavarisë.

Kush është besniku i Merkelit

Nga viti 2012 Armin Laschet është një nga të pesë zëvendëskryetarët e partisë CDU. Katoliku nga zona e Rinit ka qenë gjithmonë partner i besueshëm i drejtueses aktuale të partisë. Deri në vitin 2018, Angela Merkel dhe pasuesja e saj Annegret Kramp-Karrenbauer mund të mbështeteshin tek zëvendëskryetari i partisë. Kur Merkeli në vitin 2015 u përball me stuhi politike në Gjermani për shkak të politikës ndaj refugjatëve, Laschet mbeti një nga shoqëruesit më besnikë dhe bashkëpunëtor i kancelares.

Laschet i lindur në Aachen e njeh mirë politikën. Para 30 vjetësh ai ka punuar si i ri në ekipin e presidentit të atëhershëm federal. Nga viti 1994-1998 juristi dhe gazetari u bë pjesë e Bundestagut, kurse nga viti 1999-2005 deputet i Parlamentit Europian. Nga viti 2010 Laschet është pjesë e parlamentit Renani-Veriore Vestfali. Aty ai arriti në vitin 2017 të fitojë zgjedhjet e landit dhe krijojë një koalicion me partinë, FDP.

Krahas sukseseve, politikanit të CDU-së i është dashur të përballet edhe me dështime, Në vitin 1998 ai humbi mandatin e drejtpërdrejtë në Bundestag, dhe në vitin 2010 humbi përballë Norbert Röttgenit në konkurrencën për postin e kryetarit të CDU-së së landit. Tani 11 vite më vonë Laschet fiton në nivel federal. Armin Laschet mund të presë me durim. Me durim priti ai edhe garën aktuale me Markus Söder, rivali i fortë i tij brenda unionit konservator CDU/CSU për kandidat për kancelar.