“Unë dhe Klaudia jemi mbyllur praktikisht brenda në shtëpi prej një viti. Na e kanë sjellë dhe veshjen me vija si të burgosurit”. Pa i lënë mënjanë shakatë, Adriano Celentano rrëfeu në një lidhje telefonike surprizë tek “Domenica In” se çfarë pasojash ka pasur pandemia për të dhe të shoqen Claudia Mori.

Legjenda e muzikës italiane pohoi për prezantuesen e njohur Mara Venier se nuk ka bërë kurrë vaksina në jetën e tij. Por me sa duket, edhe kjo situatë është bërë tepër e lodhshme për të, dhe kërkon t’i rikthehet sa më parë normalitetit. Për këtë arsye, siç pohoi dhe vetë, ka pranuar që të vaksinohet së bashku me të shoqen.

”A do ta bëni vaksinën antiCovid-19”, e pyeti drejtuesja e emisionit, Mara Venier.

”Unë kurrë nuk kam bërë vaksina, por jam dakord ta bëj tani”, shtoi Celentano.

Italia ka bilancin më të lartë të vdekjeve në Europë nga Covid 19 dhe të pestin në botë. Vala e dytë e pandemisë në vend mori hov sidomos në gjysmën e parë të nëntorit, ku pati rritje te beftë të shtrimeve në spital e nisën të rimbushen edhe repartet e terapisë intensive.