Asnjë votues nuk do të lejohet me telefon celular në qendrën e votimit, pasi do të konsiderohet tentativë për të fotografuar votën. Është ky paralajmërimi që dha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi një ditë para zgjedhjeve parlamentare. Sipas tij kjo është një masë parandaluese për frenuar shitblerjen e votës.

“Në ditën e votimit asnjë votues nuk do të lejohet me telefon celular në qendrën e votimit. Kushdo që shfaqet me celular do konsiderohet tentativë për të fotografuar votën. Kjo është një masë parandaluese në kuadër të luftës dhe përpjekjes që të gjithë po bëjmë për të frenuar shitblerjen e votës”.

Celibashi theksoi se do të ketë sanksione shumë të rënda për këdo që shet dhe blen votën.

“Unë nuk e di me siguri se nuk kemi mjetet për ta verifikuar sesa kjo problematikë qëndron por ajo që vlen është se si ai që e shet dhe ai që e blen do të ketë penalitete dhe sanksione shumë të rënda. Shpresoj që kjo të dëgjohet se më shumë se kaq KQZ nuk ka se çfarë të bëjë me këtë problematikë. Ka një lloj amplifikimi, por nuk janë në atë masë që rrezikojnë procesin zgjedhor”.