Atalanta e Berat Gjimshitit përballet sot në sprovën më të madhe të historisë së saj, vazhdimit më tej të kapitullit të ri me suksese në Evropë. Bergamaskët e drejtuar nga Gian Piero Gasperini luajnë sot në Lisbonë çerek-finalen e vlefshme për UEFA Champions League kundër Paris Saint Germain.

Zikaltërit u mundën 4-0 nga Dinamo e Zagrebit në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Evropë. Megjithatë ata ia dolën të përmbysnin çdo pritshmëri dhe siguruan kualifikimin nga Grupi C ku ishin edhe Manchester City dhe Shakhtar Donetsk.

Ata treguan se nuk janë për t’u nënvlerësuar kur mundën në 1/8-at Valencian me rezultatin e përgjithshëm 8-4 (4-1; 4-3).

Pikërisht këtë ka vënë në dukje Gasperini në konferencën për shty përpara ndeshjes. Ai tha se tashmë nuk mund të konsiderohen thjeshtë debutues pasi skuadra e tij ka treguar brumin e saj.

Trajneri italian ka vlerësuar kundërshtarët, veçanërisht brazilianin Neymar, të cilin e ka konsideruar ndër më të mirët në botë. Megjithatë Gasperini u shpreh se skuadra do të përpiqet të bëjë lojën e saj, kjo si mënyra më e mirë për t’u mbrojtur.

Nga ana tjetër trajneri gjerman i PSG-së, Thomas Tuchel e cilësoi Atalantën një skuadër të vështirë për t’u përballur. Ai paralajmëroi faktin se ndeshja mund të bëhet tejet taktike, por theksoi se në fushë do të luhet edhe në aspektin “mendësor”. “Vuajmë bashkë, luftojmë bashkë dhe fitojmë bashkë,” – theksoi Thuchel për skuadrën e tij.

PSG u kualifikua pa asnjë humbje prej Grupit A ku ishin edhe Reali i Madridit, Club Brugge dhe Galatasaray. Kampionët e Francës eliminuan në 1/8-at Borussian e Dortmundit me rezultat të përgjithshëm 3-2 (1-2; 2-0).

Pas pezullimit të futbollit prej pandemisë, në Itali kampionati vazhdoi në qershor me Atalantën që shfaqi një formë fantastike duke siguruar 9 fitore dhe 3 barazime nga 13 ndeshje të luajtura.

Për PSG ky aspekt mbetet disi hendikap, pasi në Francë kampionati u mbyll pa u luajtur më. Kjo e detyroi skuadrën e Tuchel të zhvillotne 5 ndeshje miqësore në muajin korrik.

Megjithatë dy triumfet në Kupën e Ligës dhe Kupën e Francës përballë St.Etienne-it dhe Lyonit kanë hapur te PSG oreksin për suksesin e munguar, titullin kampion Evrope.

Për Atalantën kanë pasur probleme Ilicic, Palomino dhe Gollini, ndërsa për PSG mungon Di Maria, i pezulluar për shkak kartonësh. Probleme melëndime kanë pasur Kurzawa dhe Verrati, ndërsa në mëdyshje mbetet ylli i skuadrës, Mbappe.

Çiftet e tjera çerek-finaliste të UEFA Champions League janë: Leipzig-Atletico Madrid; Barcelona-Bayern Munich dhe Manchester City-Lyon. Për shkak të situatës së pandemisë kualifikimi vendoset pa ndeshje kthimi.