Përfaqësuesja e Komisionit për Çështjet e Zgjerimit, në një postim në rrjetin social Twitter, tha se Bashkimi Europian mirëpret marrëveshjen midis Greqisë dhe Shqipërisë për t’i referuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë mosmarrëveshjen mbi caktimin e zonave detare.

“BE mirëpret njoftimin nga qeveritë e Shqipërisë dhe Greqisë se si të procedohet me mosmarrëveshjet e tyre detare,- shkruhet në postim.

Sipas zëdhënëses së KE, Anna Pisonero, çështjet e kufirit adresohen më së miri përmes dialogut, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

“Çështjet në lidhje me shënimin e kufirit adresohen më së miri përmes dialogut, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe në ndjekje të parimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, ka shkruar Anna Pisonero.

Kujtojmë se vendimi për ta zgjidhur mosmarrëveshjen në Gjykatën e të Drejtës Ndërkombëtare në Hagë u bë i ditur sot, gjatë vizitës në Tiranë të ministrit të Jashtëm grek Niko Dendias, në konferencën për mediat me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Me ministrin e jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, ramë dakord që për çështjen e detit t’i drejtohemi Drejtësisë Ndërkombëtare, ndërkohë që jemi më afër se asnjëherë heqjes së Ligjit të Luftës, çka përbën edhe një kthesë përfundimtare në historinë e marrëdhënieve tona” shkroi kryeministri Rama në Facebook pas diskutimeve me Dendias.