Nga Bedri Islami

Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat, tha se kemi një krizë të madhe energjitike botërore.
“Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë.
Nuk është as tërmet, as virus, as përmbytje dhe lavdi Zotit, nuk kërcënon jetë njerëzish. Por në aspektin ekonomik e social ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë.
Kjo, është kriza e jashtëzakonshme energjitike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës…”

Mesazhi i shefit të qeverisë është i qartë. Shqipëria do të përballohet me një situatë të pazakontë, por që është pritur se do të ndodhte një ditë. Ka qenë e qartë, që në krye të herës, se pavarësisht zhvillimeve në botë, Shqipëria do të ketë pjesën e saj të dëmtimit, sidomos një sektor kaq jetik, në energjetikë, i cili në 30 vite, ose është dëmtuar qëllimisht, ose është keqmanexhuar nga padija, ose është përdorur për të majmur bosë oligarkë dhe pushtetarë të njohur.

Fakt është se thuajse të gjithë ata njerëz të politikës që kaluan sado pak kohë në drejtimin e KESH, pavarësisht kohës dhe partisë që i delegoi, kur u larguan prej saj ishin shumë më të pasur se kur filluan, se prej aty ata nisën biznese të ndryshme, disa herë pikërisht në sektorin e energjisë përmes kompania private, të shkruara në emër të familjes, sidomos të kunetërve dhe vjehrrave; po aq sa është fakt i njohur se duke qenë një vend i pasur me ujëra dhe burime ergjetike nëntokësore, vetëm i kemi shpërdoruar e masakruar ato.

Kriza e tanishme energjetike, e cila ka lindur jashtë Shqipërisë dhe domosdo do të kishte efektin e saj në Shqipëri, është pritur se do të ndodhte. Në mos në vitin 2021, në një vit tjetër. Ajo është cikluar herë pas here, ka sjellë shenjat e saj vit pas viti, ka rënduar ekonominë, sidomos xhepat e konsumatorëve privatë, është përdorur për fushata elektorale dhe si bonus për votën e deklaruar e të padeklaruar, është trajtuar si malli i hasmit dhe asnjë hasëm nuk do e kishte shpërdoruar dhe katandisur në këtë gjendje.

Duam apo nuk duam, e pranojmë apo e mohojmë, 30 vitet e shkuara ishin koha e humbur e energjetikës, ku rendja ishte pas hidrocentraleve private, në çdo vijëz uji, në çdo prrakë, në çdo përrua, pa asnjë studim shkencor, barbari babëzitëse. Licencat e shumta të dhëna nga opozita e tanishme e më pas nga qeveria e sotme ishin si qoka për njerëzit e politikës, të cilët, burra e gra, vrapuan t’i merrnin , pastaj t’i shisnin në njerëz që përgjithësisht kishin para e të lidhur me pushtetin e çastit, duke shkatërruar lugina të një bukurie të veçantë, krijuar në shekuj, të ruajtura nga brezat, për t’i shkatërruar duart e politikës miope dhe vrastare.

Një “i mençur” në SHQUP del me planin e tij shtatë pikësh, për të zgjidhur atë që nuk u ndryshuan dot kur ishin në pushtet, dhe përmes “kësaj strategjie”, si lobim politik, asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë me sistemin, por me nevojat për riciklimin e teorive boshe dhe pa asnjë vlerë minimale, sidomos në këtë situatë.

Ka 30 vite që ky vend nuk ka një strategji kombëtare për të ardhmen e energjetikës, profesorë të shquar janë lënë jashtë debatit, institutet studimore u mbyllën, veprat as nuk u filluan ndonjëherë dhe vendin e tyre e zunë biberucët e oligarkisë, të cilët, duke rendur pas një fitimi të çastit, prishën të ardhmen. Me përkrahjen e shtetit, nën shpatullat e tij dhe me fitime të përbashkëta.

Është fakt se në 30 vite pluralizëm, asnjë qeveri, e alternuar mes dy grupimeve politike, nuk ka pasur një qasje të drejtë, koncept shkencor dhe projekt real për zhvillimin e energjetikës.

Ende sot, rreth 77 për qind e prodhimit të energjisë në vend realizohet nga tre hidrocentralet në kaskadën e Drinit, prej të cilëve, më i fundit, ai i Komanit, është përuruar në vitin 1986. Asnjëri prej tyre nuk ka mundin, arsyen, mendimin shkencor apo realizimin e qeverive pluraliste.

Ishte si ishte regjimi i shkuar, ai ndërtoi një sektor energjie të vlefshëm dhe të përballueshëm për kohën. Që në vitin 1947, në takimin me grupin e deputetëve të qarkut të Shkodrës, në përgjigjen e pyetjes së deputetit Hysni Curri, mbi të ardhmen e rajonit të Veriut, Enver Hoxha do paraqiste dy projekte madhore, të pabesueshëm për kohën, njëri nga të cilët ka mbetur ende ëndërr. Ndërtimin e hekurudhës Shkodër – Gjakovë, sëbashku me rrugën ndërlidhëse, si dhe “tani nuk kemi mjete, por jo larg, ne do e bëjmë lumin e Drinit një liqen”, duke iu referuar një projekti madhor austriak.

Mungesa e strategjisë ka sjellë gjendjen e sotme, që nuk është e panjohur për asnjërën qeveri.
Në vitin 2002, Shqipëria u përball me krizën e parë të madhe elektroenergjetike. Që atëherë kanë kaluar 19 vite. Shqipëria vazhdon të mbështetet në hidrocentralet e kohës së monizmit, të cilat, duhet të jemi falënderues, që nuk u prishën nga teoricienët e kuotës zero apo e çekut të bardhë, apo edhe më tej, nuk u shitën, si ndodhi me miqtë e Zenit të vockël.

Dy shembuj të mungesës së një baze shkencore në zhvillimin e energjetikës:
Kriza e vitit 2002 tregoi se duhej bërë përshpejtimi i zhvillimeve në energjetikë, sidomos në jugun e vendit.

Studimi i vitit 2002, jo nga institucionet shqiptare, që tashmë kishin hedhur në erë institutet famoze të dikurshme, u bë në një kohë kur Shqipëria po vuante një nga krizat më të rënda elektroenergjetike në histori, krizë e shkaktuar nga rënia e papritur e prodhimit në hidrocentrale dhe mungesës së linjave të transmetimit dhe kostove të larta të importit të energjisë elektrike.

Sipas një studimi të ndërmarrë nga BIRN, vendi përballej me dy alternativa për zgjidhjen e krizës së energjisë elektrike: ndërtimin e lidhjeve të interkonjeksionit me vendet fqinje për të importuar rreth 30-40 për qind të energjisë së konsumuar çdo vit ose ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese. Kështu lindi ideja e termocentralit të Vlorës.

Projekti vlerësohej fillimisht të kushtonte 113 milionë dollarë dhe parashikohej të përfundonte në vitin 2008. Në fakt, projekti kushtoi në total 130 milionë, u mbyll në vitin 2012 ndërsa termocentrali që ndërtoi rezultoi difektoz, me kosto tepër të lartë dhe praktikisht i papërdorshëm. Në fakt, një varrezë energjetike. “Faji” ka mbetur jetim. Qeveria e dikurshme Berisha ia kalon fajin Bankës Botërore, ndërsa zyra e Bankës Botërore në Tiranë ngulmon ende, sot e kësaj dite, se përgjegjësia për zbatimin e projektit qëndronte me KESH.

Ndërkohë shqiptarët vazhdojnë të paguajnë rregullisht kostot e kredisë 130 milionë euro.

Rasti i dytë: Në shtator të vitit 2019, kryeministri Edi Rama deklaroi se në Shqipëri nuk do të ndërtohen me hidrocentrale të vogla, nën 2 MË (2.000 KË). Ai pranoi se këto hidrocentrale të vogla janë të padobishme dhe të dëmshme.
Mirëpo, ka gjithnjë një “mirëpo”, deri atëherë, qeveria Rama kishte dhënë 99 leje për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, ku gjysma e tyre ka qenë dhe është nën 2 MW – 2.000 KW.
Disa shembuj: HC EME – 450 KW, HC Llëngë 2 – 300 KW, HC Shëngjon 3 – 341 KW, HC Miraka – 613 KW, HC Lotaj – 480 KW, HC Vendresh 230 KW, HC Perollaj – 400 KW… etj.

Duke pasur parasysh se konsumi mesatar vjetor i një familje shqiptare është 200 KW, mendoni se sa të vlefshëm dhe të dobishëm janë këto hidrocentrale që shkatërruan edhe mjedisin, faunën e florën e thellësive shqiptare. Tani synohet të shkatërrohet edhe habitati i lumit Vjosa.

Në Shqipëri janë disa projekte të dështuar për fuqizimin e sektorit energjetik.

Projekti i parë daton në vitin 1995 dhe kishte vlerë 7.5 milionë dollarë. Vendosja e matësve të energjisë elektrike dhe reduktimi i humbjeve, të cilat ishin si pak kund në botë, 47 përqind. Kur projekti përfundoi humbjet ishin 54 për qind!!!

Në vitin 1996, Banka Botërore me bashkëdonatorë të tjerë u angazhuan në një projekt tjetër të quajtur Projekti i Rrjetit të Transmetimit dhe Shpërndarjes së Energjisë, i cili parashikonte shpenzimin e 117 milionë dollarëve me synimin e reduktimit të humbjeve.

Projekti u mbyll në vitin 2002, u shpall i dështuar, por shqiptarët do të paguanin 117 milionë dollarë.
Një projekt tjetër prej 35 milionë dollarësh, që synonte gjithashtu reduktimin e humbjeve, u zbatua nga viti 2002 deri në vitin 2006. Projekti u vlerësua si “Relativisht i Kënaqshëm” në rezultate, pavarësisht se humbjet në vitin 2006 qenë sërish 41 për qind dhe qenë rritur për tre vjet me radhë, raporton BIRN.

Ne jemi i vetmi vend që shpenzojmë qindra milionë dollarë për reduktimin e humbjeve në rrjesht, por në fund të projekteve humbjet rriten.

***

Në vitin 1985 Shqipëria, sipas statistikave jo të plota, prodhonte 1 milionë e 360 mijë ton naftë në vit. Megjithëse ishte dënuar dhe shkatërruar ajka e shkencëtarëve të sektorit të naftës, përsëri ishte një prodhim i konsiderueshëm për kohën.
Sipas llogaritjeve të ERE, termocentrali i ri i Vlorës, ende në konservim, duhet të konsumojë 136 mijë tonë naftë në vit.

Nëse në vitin 1943 kompanitë e huaja eksportonin 970 mijë ton naftë në vit, kapaciteti i kompanive fantazmë të instaluara në Shqipëri është mbi 2 milionë ton.

Prodhimi maksimal i naftës është realizuar në vitin 1974 me 2.250.000 ton naftë/vit (ose 6165 ton naftë/ditë e barabartë me 38.408 fuçi/ditë). Sasia e gazit, vlerat më të larta, i ka pasur në vitin 1982 me 940.000.000 Nm3 gaz/vit (ose 2 575 342 Nm3 gaz/ditë).

Në këto vite numri i punonjësve në Industrinë e Naftës ku përfshiheshin rreth 34 ndërmarrje, ka qenë rreth 25.000 vetë, prej të cilëve rreth 2.800 punonjës ishin specialistë të lartë dhe të mesëm.

Çfarë është bërë me naftën në këto 30 vite? Sketerrë e vërtetë. Shqipëria nga qindra miliona ton naftë nuk përfitoi asgjë, ose thuajse asgjë. Ne kemi një qasje dembele, duke eksportuar naftë bruto nga kompanitë që fitojnë miliona dhe duan të mashtrojnë duke ndërtuar një rrugë fshati 200 mijë dollarësh.

Çfarë bëhet me fitimet që nxjerrin kompanitë? Naftëtarë të flakur në rrugë, edhe pas një jete në sektorin e naftës, shtëpie që shemben nga shpërthimet nëntokësore, qeveritarë që premtojnë zgjidhje dhe harrojnë se për të cilët kanë premtuar, oligarkë të formësuar me shtetin, rimbursime të pallogaritshme…

Çmimet e naftës në Shqipëri janë në më të lartat në BE, rreth 40 për qind më të larta se në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut, që nuk kanë ende burime nafte të furishme; më shtrenjtë se në Kosovë dhe në Malin e Zi.

Rezervat e naftës në zonën e Shpiragut mund të arrijnë nga 500 deri në 800 milionë fuçi. ‘Oil and Gas Investments’, një institut kërkimor kanadez në fushën e energjisë thotë se ky mund të jetë një nga zbulimet më të rëndësishme të naftës në rajon për vitet e fundit. Kush do të përfitojë nga kjo pasuri e të gjithë shqiptarëve?

Shefi i qeverisë shqiptare deklaroi se, “Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë.”
Këtë valë goditëse do mund ta kishim përballuar me qartësisht dhe shumë më lehtë nëse do të kishte pasur një projekt afatgjatë, shkencor, nga mendjet e shkencës dhe jo të oligarkisë politike zhvatëse.

Ne kemi thuajse 30 vite të humbura! Nuk i fitojmë dot në 30 ditë e as në 300 ditë! As me dekrete qeveritare dhe deklarata politike!