Diskutohet sot në komisione, huaja prej 80 milionë eurosh me Bankën Gjermane për Zhvillim

Qeveria ka miratuar në fund të vitit të shkuar katër programe huaje mes Ministrisë së Financave dhe Bankës Gjermane për Zhvillim KfW. Njëri prej tyre është edhe programi “Për infrastrukturën bashkiake V” që synon të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizime në bashkitë e Lezhës, Fierit dhe Sarandës, të cilat kanë qenë pjesë e fazave të mëparshme të programit ku përfshiheshin bashkitë Berat, Kuçovë, Kamzë dhe Lushnjë. Huaja është parashikuar në shumën e 80 milionë eurove dhe detajet e tij diskutohen sot në komisionin për politikën e jashtme në orën 9:30 dhe atë të çështjeve ligjore në orën 11:00.

Nis sot forumi onlinë “Ditët e Kujtesës” për komunizimin

Me rastin e tre dekadave demokraci në vendin tonë sot nis edicioni i gjashtë i aktivitetit Ditën e Kujtesës me temë qendrore Komunizmin dhe njohurinë që ka populli ynë në lidhje me të. Forumi, i cili do të zhvillohet online, për shkak të pandemisë ngre siparin sot me praninë e një sërë emrash që do të flasin për zhvillimet në vend si presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z.Vincenzo del Monaco, drejtori i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Tobias Rutterhof, etj.

KQZ në Kosovë rinumëron votat në 12 qendra votimi

KQZ në Kosovë vendosi rinumërimin e votave në 12 qendra të votimit në 10 komuna të Kosovës. gjithashtu u vendos që të quhen të pavlefshme votat në të cilat nuk është respektuar procedura.

Një problematikë e rëndësishme në këtë pikë që është ngritur nga organizatat vëzhguese dhe LVV ka të bëjë me votat e emigrantëve, të cilëve u ka skaduar afati i përdorimit të mjeteve të identifikimit.

“Vetëm kur të mbarojmë numërimin e te gjitha votave do mund të certifikojmë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”, tha kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

Kurti: Dialogu me Serbinë ka rëndësi, por nuk është prioritet i qeverisë

Dialogu me Serbinë ka rëndësinë e tij madhore për vendin por nuk është prioritet i qeverisë së re. Kjo është deklarata më e fundit bërë nga Albin Kurti i Vetëvendosjes, për të cilin në plan të parë janë projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia pa harruar pandeminë koronavirus dhe për t’i bërë këto duhet të kalojë më parë kabinetin qeveritar në parlament.

Moderna: Për të kururar variantet e reja do të duhet një dozë e tretë e vaksinës

“Për të kururar variantet e reja do të duhet një dozë e tretë e vaksinës kundër Kovid. Ky është diskutimi më i fundit që po bën kompania Moderna, sipas të cilës për të zhvilluar një variant të ri të vaksinës që shëron edhe derivatet e viruseve duhen dy javë. Por sipas bashkëthemeluesit të saj shkencëtarët nuk do të bëjnë një vaksinë të veçantë për çdo variant ndaj po mendohet alternativa e tre dozave që i përfshin të gjitha.

SHBA, gati 4 mld dollarë për programin global të vaksinimit

Amerika është gati të ulet me anëtarët e G7 për t’u angazhuar bashkarisht në vënien në dispozicion të 4 milardë dollarëve për programin e vaksinimit global kundër Covid. Lajmin e konfirmon Shtëpia e Bardhë, sipas të cilës brenda këtij muaji 2 miliardë dollarë do të alokohen për vaksinimin në vendet e varfëra dhe 2 miliardë të tjera gjatë 2 viteve që pasojnë.

Konferenca mbi sigurinë në Mynih dhe konkurrenca SHBA-Kinë mbi tregun evropian

Ka një konkurrencë të kahershme mes Amerikës dhe Kinës mbi tregun e vendeve evropiane. Amerika gjithnjë e ka trajtuar veten si vëllai i madh i Evropës, ndërkohë që Kina nëpermjet planit të saj 17+1 po mundohet të joshë shumë shtete. Aq më tepër që në kuadër të këtij plani ka premtuar importin e produkteve evropiane në jugun e saj dhe mbështetjen e menjëhershme që u ka premtuar me vaksinën e saj kundër Covid. Por Amerika gjithnjë e ka paralajmëruar Evropën në lidhje me këto oferta. Sot, në konferencën mbi sigurinë që organizohet në Mynih do të marrë pjese edhe presidenti amerikan Joe Biden për kundër argumentet e tij.

Hungaria detyron organizatat e huaja të zbulojnë donatorët, reagon KE: Diskriminuese

Një ligj i vitit 2017 në Hungari që detyron organizatat e huaja joqeveritare t’i zbulojnë donatorët e tyre të huaj nga ngritur shqetësim në Komisionin Evropian sipas të cilit ky ligj përfshin kufizime diskriminuese dhe të pajustifikueshme”, në shkelje të të drejtave themelore. Në këtë kuadër komisioni i ka dhënë vendit dy muaj kohë për ta ndryshuar ligjin nga i cili preket kryesisht miliarderi amerikan George Soros, të cilin Viktor Orban, e ka akuzuar për ndërhyrje politike. Soros nga ana tjetër e ka cilësuar çdo akuzë të Orban si gënjeshtër.

SHBA pranon ftesën e BE për t’u ulur në bisedime me Iranin

SHBA pranon ftesën e BE për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me Iranin në kuadër të paktit bërthamor që kanë fuqitë e mëdha në bazë të të cilit Teherani do të ulte nivelin e pasurimit të uraniumit dhe prodhimin e armëve bërthamore. Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Departamentit te Shtetit Amerikan, Ned Price. Para se të jepte përgjgjen zyrtare amerikane hodhi poshtë një dekret të mëparshëm të presidentit Trump që e nxirrte vendin nga kjo marrëveshje. Prej kohësh tanimë edhe Irani kërkonte një qasje të re nga SHBA me rastin e zëvendësimit të administratës.