Çfarë fshihet pas videos me ikjen e “Benz”-it që u bë aq e njohur ditën e djeshme? Në çfarë aksioni qenë efektivët e policisë që shtrinë përtokë një gazetar më pas?

Policia ka arritur të japë detajet e plota mbi të arrestuarit, kokainën e kapur dhe elementë të tjerë plot një ditë pas ngjarjes.

Në pranga kanë rënë Gentian Kore, Taulant Çoku, Altin Gega, Erjon Prenga, Gazmir Cani. Policia thotë se droga shkëmbehej në biznesin e Gentian Kores. Kokaina ishte fshehur në dy kuti picash.

Detajet e shkëmbimit të drogës te “Varri i Bamit”:

“Sekuestrohen 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular. Vihen në pranga 5 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër shtetas.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të marra se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë në zonën e Xhamllikut, kanë zhvilluar operacionin e koduar “Xhamlliku”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: G. K., 47 vjeç, T. Ç., 34 vjeç, A. G., 28 vjeç dhe E. P., 32 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi E(E). P(S)., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarje. Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Shtetasit e lartpërmendur janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Kujtim Laro”, në biznesin e shtetasit G. K., ku dyshohet se kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Të katërt këta shtetas, sapo kanë parë shërbimet e Policisë kanë tentuar të largohen me vrap, por janë neutralizuar dhe prangosur nga Policia. Gjatë largimit, ata kanë fshehur lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, i shtetasit G. C., 26 vjeç, pasi ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për të ndaluar për verifikimin e tij dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.”