Kryeministri Edi Rama përsëriti në kuvend vendimin për të shitur me çmim tregu energjinë për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 800 kwh, kjo pasi sipas Ramës 96 për qind e popullsisë harxhon më pak se 800 kwh.

Ndërhyrjet nga vendi të deputetit demokrat Helidon Bushati, që i ka cilësuar të pavërteta shifrat, kanë sjellë reagimin e kryeministrit.

“Çfarë ka që bërtet ky, pse ulërin mo. Injoranca nuk është argument”, – i është kthyer Rama, Bushatit.

Mëngjesin e së enjtes, Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha se për shkak të krizës së çmimeve të energjisë, qeveria ka vendosur të ndërmarrë masa, për të shmangur vështirësitë.

“Gjatë muajit 1040 euro për mgWh, në gusht 2021 tregtohej me 150 euro për mgWh. Kjo paketë nis me vendosjen e fashës 800 kWh, që prek një grup shumë të vogël abonentësh, mbi 96% konsumojnë nën 800 kWh në muaj”, tha Balluku.

“Sipas llogarive tona, efektet e fashës 800 kWh nga data 1 tetor, në 15 muajt e ardhshëm, do të kursejmë 100 milionë euro. Gjithashtu, parashikohet të kemi edhe një ulje me 2,5 herë të konsumit të përgjithshëm të energjisë”.