Pasuria e 100 amerikanëve më të pasur në njëqind ditët e para të presidencës së Joe Biden u rrit me 195 miliardë dollarë, sipas Bloomberg.

Pasuria totale e 100 qytetarëve më të pasur të Shteteve të Bashkuara arriti në 2.9 trilion dollarë deri më 30 prill, që është një rritje prej 195 miliardë që nga inaugurimi i Biden më 20 janar. Në të njëjtën kohë, pasuria e 50% të qytetarëve amerikanë me të ardhurat më të ulëta është vetëm 2.5 trilionë dollarë.

Arsyet kryesore për një pasurim të tillë të dukshëm dhe të shpejtë është rritja e tregjeve të aksioneve për shkak të përhapjes së vaksinimit dhe tejkalimit të pandemisë së koronavirusit. Indekset kryesore të aksioneve janë rritur pothuajse vazhdimisht që nga shkurti, duke tejkaluar një rekord pas tjetrit. Indekset Dow Jones dhe S&P 500 u rritën më shumë se 10% gjatë atyre muajve.

Masat stimuluese të Biden dhe programi i tij masiv i vaksinimit nxitën një rimëkëmbje të shpejtë, dhe kështu rritjen e tregjeve të aksioneve dhe pasurinë e amerikanëve më të pasur.

Sidoqoftë, tendenca të ngjashme pozitive në Shtetet e Bashkuara janë vërejtur dhe në javët e fundit të mandatit presidencial të Donald Trump dhe pasuria e 100 amerikanëve më të pasur është rritur me 267 miliardë dollarë nga 4 nëntori 2020 deri në inaugurimin e Biden.

Ekonomia e SHBA po rimëkëmbet më shpejt sesa pritej. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rritjen e PBB-së së SHBA me 6.4% këtë vit.