Një sherr i nisur fillimisht mes dy mësueseve në gjimnazin “Andon Zako Çajupi”, degjeneroi mëngjesin e kësaj të hëne deri në përplasjen me sende të forta në mes të rrugës, e madje deri tek të shtënat me armë…

Një 32-vjeçar mbeti i lënduar me sende të forta, ndërsa në vendngjarje u gjet edhe një pistoletë, me të cilën një prej personave të përfshirë në sherr dyshohet se qëlloi në ajër.

Pas sherrit dyshohet se fshihen motivet banale. Gazetari raporton se fillimisht gjithçka ka nisur në ambientet e gjimnazit mes dy mësueseve. Më pas ato kanë shkuar në një lokal aty pranë dhe përplasja ka vijuar, duke degraduar në përdorimin e sendeve të forta. Mësohet se për të shuar konfliktin ka ndërhyrë edhe një polic i cili ndodhej në zonë në momentin e ngjarjes.

E gjithë kjo ngjarje ndodhi gjatë orëve të mëngjesit, në një kohë kur në zonë kishte nxënës, prindër e qytetarë të shumtë.

Për normalizimin e ngjarjes ndërhynë forcat policore, që po ashtu shoqëruan në komisariat 5 persona.

Policia e Tiranës, informacion zyrtar për sherrin

Pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Kongresi i Manastirit” ishin duke u konfliktuar dyshohet me sende të forta 6 persona, menjeherë në vendngjarje kanë shkuar sherbimet e Policisë Rrugore, të cilat ishin në patrullim dhe kanë ndërhyrë menjeherë. Më pas në ndihmë të tyre kanë ardhur sherbimet e Patrullës së Përgjithshme dhe Forcat “Shqiponjat”të cilët kanë bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të metejshëm të konfliktit dhe shoqërimin e 5 shtetasve të dyshuar si pjesëmarrës në konflikt, për veprime të metejshme.

Si pasojë e konfliktit janë dëmtuar lehtë disa shtetas, ku njëri prej tyre shtetasi E. K. 32 vjeç, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore, i dëmtuar me sende të forta.

Në vendngjarje është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, ku po kryhen veprimet përkatëse për të mësuar kujt i përket nga të shoqëruarve.

Sqarojmë se nuk ka persona të lënduar nga përdorimi i armës së zjarrit. Vijon puna nga Grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.