Nga Bedri Islami

Në zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët, megjithëse të ndarë në disa pjesë politike, arritën të kenë më shumë deputetë se në legjislacionet e shkuara.

Ndikimi socialdemokrat në disa zona të banuara me shqiptarë, çka u vërejt në zgjedhjet e shkuara, ku arritën të merrnin mbi 60 mijë vota, si duket, nga larmishmëria e politikës shqiptare, kishte rënien e tij, por edhe ajo çka ishte trumbetuar si fundi politik i Bashkimit Demokratik për Integrim, drejtuar nga Ali Ahmeti, jo vetëm nuk ndodhi, por u rrit ndjeshëm numri i deputetëve të saj.

Shumë njerëz, analistë ose jo menduan, ndoshta nga entuziazmi politik, se tashmë, të gjitha forcat politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të bashkoheshin dhe do të krijonin një bashkësi politike parlamentare, përmes së cilës dhe, vetëm me pëlqimin e së cilës, do të rridhte jeta politike në atë shtet ende të brishtë, ku nacionalizmi i Gruevskit ende ka forcë dhe në të cilin politika e lëkundur e Zaevit krijoi debate dhe përplasje të ashpra me partnerin e koalicionit të qeverisë së deritashme, BDI.

Drejtuesit e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si duket, nuk do e gjejnë rrugën e përbashkët. Për Zijadin Selën, Afrim Gashin dhe Menduh Thaçin më e rëndësishme është të dështojë Bashkimi Demokratik për Integrim, se sa të forcohet pozita e shqiptarëve në këtë vend, të cilët, duke e ndarë votën mes një force politike të besuar në këto 20 vite, BDI dhe një koalicioni të ri, i cili megjithëse është shumëngjyrësh u fuqizua.

Më e rëndësishme për to është të kalojë në opozitë Ali Ahmeti, se sa të ketë një kryeministër shqiptar në qeverinë e ardhshme. Më e pranueshme për to është që të jenë në pushtet, me gjithë farë kompromisesh, se sa të aspirojnë për avancimin e mëtejshëm të pozitës së shqiptarëve në këtë vend.

Çfarë do të ndodhë?

BDI, si moto të saj në fushatën zgjedhore kishte sloganin se, tashmë, kishte ardhur koha që ky shtet të ketë një kryeministër shqiptar. Një aspiratë e mrekullueshme, por edhe e realizueshme. Edhe kur disa kohë më parë, lideri i shqiptarëve Ali Ahmeti premtoi se një ditë të afërt Kuvendi maqedonas do të kishte si drejtues një figurë të shquar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, shumë vetë rrudhën buzët, ngritën supet, dolën në dhjetëra mediume dhe e quajtën utopi e radhës dhe një premtim utopik. Mirëpo kjo ndodhi dhe Talat Xhaferi u dëshmua një burrë trim, i aftë, dinjitoz dhe serioz deri në maksimumin e detyrës.

Edhe zgjedhja e kryeministrit shqiptar nuk është utopi, është e mundur. Në mos tani, një ditë do të bëhet, por më herët duhet të bëhen shqiptarët. Nëse këto nuk bëhen bashkë dhe nëse ndonjëri prej tyre vazhdon të korrë në grazhdin e radikalëve islamikë apo nga buxheti i shërbimit sekret maqedonas dhe të përbetohet tek shefi i këtij shërbimi se “jam shërbëtori yt deri në vdekje”, me siguri që nuk do të ndodhë.

Për disa ditë me radhë drejtuesi i BDI-së, Ali Ahmeti, jo përmes formës tradicionale, duke dërguar shkresa që nuk marrin kurrë përgjigjen e duhur, por përmes bisedave direkte telefonike ftoi të gjithë bashkëdrejtuesit partiakë opozitarë të votuesve shqiptarë për të krijuar një bashkësi politike parlamentare dhe që, përmes kësaj bashkësie të realizonin bashkarisht atë që mendohet se i ka ardhur koha: shefi i qeverisë të jetë një shqiptar.

Megjithëse BDI kishte dalë me një emër konkret, përfaqësues i denjë për çdo qeveri, çdo gjë ishte lënë e hapur, e mundshme për t’u shtruar në bisedime, dhe, po ashtu do të ishte një mjet i fuqishëm presioni ndaj dy forcave politike maqedonase.

Megjithëse kishin premtuar, ata nuk morën pjesë dhe mendimi për krijimin e një bashkësie politike, pa u shkrirë tek njëra tjetra, si duket nuk do të jetë vetëm fundi i qëndrimit opozitar, por njëra nga lëvizjet e radhës drejt pushtetit.

Socialdemokratët në pushtet kanë 46 vende në parlamentin e ri, ndërsa partia fituese shqiptare, BDI – ka 15 të tillë. Sëbashku ata mund ta krijojnë qeverinë dhe të vazhdojnë qeverisjen, pavarësisht se në fushatë janë përplasur disa herë ashpër me njëra tjetrën. Sidoqoftë, në të dyja forcat politike ndjehet se mund të ketë një rrugë të përbashkët.

Mes tyre ka një ndasi të madhe: kërkesa e mëhershme e BDI për kryeministrin shqiptar. Që në ditët e para, kur u bë e njohur kjo çështje themelore, politikanët maqedonas reaguan ashpër dhe janë ende të gatshëm “t’i dhurojnë” deputetë njëra tjetrës.

Të dyja partitë politike maqedonase më përpara mund të pranojnë ndryshimin e emrit se të qeverisen nga një politikan shqiptar. Forcat politike shqiptare në opozitë, më të gatshëm janë të pranojnë të vijnë në pushtet, se sa të kenë një shef shqiptar të qeverisë. Ata nuk e pranuan thirrjen e Ali Ahmetit që të bashkohen dhe bashkarisht të kushtëzojnë LSDM për pozitën e kryeministrit, e duke shkuar më tej, nuk pranuan as ftesën e BDI për bashkëqeverisje.

Me ngulm, ndoshta edhe nga porosi janë Shkupit e Tetovës, kërkojnë të jenë shumicë qeverisëse pa BDI-në, e cila ka fituar votat e shqiptarëve dhe janë vënë në dispozicion të forcave politike maqedonase, duke synuar të rrënojnë pozitat e shqiptarit fitues.

A është e vërtetë se çështja e kryeministrit shqiptar është nyja gordiane që duhet zgjidhur mes forcave politike shqiptare dhe molla e sherrit mes tyre?

Pak, ose më saktë, nuk është e besueshme. Sepse asnjëra prej tyre nuk e kanë shtruar asnjëherë çështjen e shefit të qeverisë si kusht për dialog. Kushtin e vetëm ata kanë largimin e BDI dhe futjen e tyre në qeveri. Edhe Menduh Thaçi, megjithëse ka vetëm një deputet, e kërkon këtë, kur disa muaj më parë kërkonte të ishte kandidat në listat fituese të BDI-së.
Opozita shqiptare, megjithëse e përbërë nga disa forca politika, kërkon të jetë në qeveri pa i fituar zgjedhjet.

Një provë e tillë u bë në vitin 2006, kur partia e Menduh Thaçit, megjithëse ishte humbëse, gjeti rrugët e “paqëtimit” dhe u bë pjesë e qeverisë, por ajo u shemb në më pak se një vit.
Çfarë do të bëhet me kryeministrin shqiptar.

Janë tri gjëra të rëndësishme para, në tri anët e politikës në Maqedoninë e Veriut:

E para, ndër shqiptarët, të cilët nuk pranuan, edhe një herë, të jenë së bashku, të kenë një zë dhe një përfaqësim politik të përbashkët. Mëria e Zijadinit ndaj BDI-së, ku ishte dikur, është më e madhe se sa ndaj çdo lideri nacionalist ekstrem serb apo ndaj çdo lëvizje radiale islamike, që po merr formë në aleancën e tij politike. Mos bashkimi i shqiptarëve i ka dobësuar pozitat e kësaj kërkese themelore, por edhe ka lënë shtegun e hapur për pazare politike mes maqedonasve dhe shqiptarëve të opozitës.

E dyta, vetë partitë politike maqedonase janë të gatshme të përsëritin zgjedhjet me dhjetëra herë dhe të mos e lejojnë këtë. Në ditët e para, kur ende nuk dihej nëse shqiptarët do të bashkoheshin në kërkesën e tyre, mendimi politik maqedonas ishte tulatur, nuk ishte i njëjtë me tonin e ashpër dhe përbuzës gjatë fushatës zgjedhore apo paraqitjeve politike.

Sa më shumë largohej bashkimi i politikës shqiptare, aq më tepër rritej toni “zemërak dhe përbetimi politik” i Zaevit. Tre takime të mbyllura të tij me përfaqësues të opozitës shqiptare, të ndodhura në Shkup, e forcuan pozitën e tij dhe hyri në bisedime me BDI me tone të tjera.

Nga ana tjetër, dy liderët maqedonas u përbetuan se do bëjnë gjithfarë kompromisesh që të mos ketë një kryeqeveritar shqiptar. Dhe, duke parë ndarjen shqiptare, ata, si duket, do i rrinë përbetimit të tyre.

Së treti, bashkësia ndërkombëtare.
Nga biseda telefonike që zhvillova mbrëmë, 16 gusht, me njërin nga drejtuesit politikë të BDI, kundërshtimet më të ndjeshme ndaj përcaktimit të kryeministrit të ardhshëm po vijnë pikërisht nga faktori ndërkombëtar.

Për dy arsye, së pari, ajo brenda shqiptarëve që nuk po bashkohen, por, më e rëndësishmja, së dyti, pasi në këtë kohë janë shtruar për zgjedhje çështje të rëndësishme, të ndjeshme dhe të mëdha, të cilat nuk mund të kalojnë përmes një përfaqësuesi shqiptar, pasi, në të shumtën, kanë të bëjnë me qëndrime politike të shumicës maqedonase, e cila nuk i ka njohur ato.

Para qeverisë së re do të shtrohet Marrëveshja e Prespës për emrin e ri të shtetit, emër të cilin shqiptarët e kanë njohur dhe janë pajtuar me të. Emri Maqedonia e Veriut është mbështetur nga shqiptarët dhe nuk është kundërshtuar vetëm nga shqiptarë luajalë të dikurshëm të pushtetit maqedonas. Pra, nuk është më një problem shqiptar, por një çështje e hapur për maqedonasit. Dhe kalimi ose jo duhet të ketë praninë e nj shefi qeveritar të këtij nacionaliteti.

Po ashtu, një çështje e mprehtë, që ka të bëjë me përfshirjen e këtij shteti në strukturat evropiane është ajo që lidhet me Bullgarinë. Në muajt në vijim, Kryeministri duhet t’i prijnë marrëveshjes me Bullgarinë për kulturën, historinë dhe gjuhën, andaj dhe është shumë e ndjeshme.
Edhe në këtë rast partitë politike shqiptare, sidomos BDI që ishte në qeverisje, e kanë dhënë verdiktin e tyre.

Sipas bisedës vetjake me Ali Ahmetin, ata nuk kanë luftuar që shqiptarët të fitojnë të drejtat e tyre historike, të kulturës, gjuhës etj dhe t’u mohohet kjo etnive tjera që janë pjesë e këtij shteti.

Edhe një herë çështja kthehet në një përplasje mes maqedonasve që e pranojnë këtë të vërtetë dhe atyre që nuk e pranojnë.

Pra, më shumë se një çështje e shtruar për zgjidhje nga të gjithë, është e shtruar vetëm për maqedonasit. Ata duhet të përcaktohen dhe ata duhet të marrin përgjegjësinë e plotë ose pjesë të meritës për qëndrimin e tyre evropian.

Këto tre faktorë e bëjnë të vështirë që të ketë një kryeministër shqiptar. E keqja që të vjen nga brenda është kurdoherë më e rëndë se ajo që ke pritur nga jashtë. Të mos jenë maqedonasit dakord me një kryeministër shqiptar dhe të luftojnë deri në fund për të mos qenë – është e kuptueshme, por, që të mos jenë shqiptarët nga mëria dhe etja e pushtetit, kjo është e pakuptueshme.

Megjithatë, si duket, mes LSDM dhe BDI do të ketë një marrëveshje të re qeverisje dhe bisedimet po vazhdojnë, megjithëse problemet mbeten. Ai më themelori, çështja kryeministrore, si duket, do të ketë një përafrim të ri, duke dhënë disa nga dikasteret kryesore në drejtimin e shqiptarëve, gjë që nuk ka ndodhur më herët.

Mes dy forcave politike vazhdojnë të jenë ndërmjetës ndërkombëtar, të cilët janë për vazhdimin e përbashkët të qeverisjes mes LSDM dhe BDI, duke shmangur tani për tani çështjen e kryeministrit, jo si të padrejtë, por të një kohe të ardhshme.

Sipas bisedës të zhvilluar mbrëmë me njërin nga bashkëpunëtorët e afërt të zotit Ahmeti, është krejt e mundur që deri në fund të javës të kemi një vazhdim të qeverisjes LSDM dhe BDI, por në një suazë më të gjerë hapësinor për shqiptarët.

Shqiptarët humbën edhe një shans magjik. Nuk është vetëm faji i tyre. Nganjëherë fajtorët e vërtetë gjenden larg, në një qendër tjetër, nga ku, duke predikuar bashkimin, nxitin ndarjen.