Përgjegjësi i skuadrës së vlerësimit të vaksinave tek EMA, Marco Cavaleri, pranon se një lidhje mes vaksinës AstraZeneca dhe rasteve të trombozës. Deklarata ka bërë zhurmë. Londra po merr në konsideratë ta kufizojë tek moshat e reja.

Janë ndezur sërish dritat e farit për vaksinën AstraZeneca dhe lidhjet e saj me rastet e rralla të trombozës. Komiteti i sigurisë së Ema-s, Agjencia Europiane e Barnave do të japë një rekomandim të përditësuar brenda të së mërkurës pasdite, 7 prill.

Fjalët e Marco Cavalerit, shefi i skuadrës së vlerësimit të vaksinave tek EMA kanë bërë zhurmë. “Sipas mendimit tim, tani mund të themi, se është e qartë se ka një korrelacion me vaksinën“, tha Marco Cavaleri për gazetën “Il Messaggero”.

Ai shtoi, megjithatë, se arsyeja përse vaksina mund të shkaktojë mpiksje gjaku nuk është ende e qartë. “Ekziston një marrëdhënie shkak-pasojë, por mbetet të shihet se si ndodh kjo”, tha zyrtari europian.

Ndërkohë, agjencia e barnave britanike (Mhra) po merr në konsideratë sipas gazetës “The Times”, nëse duhet të limitojë moshën e të rinjve që do të marrin vaksinën e AstraZeneca. Në Mbretërinë e Bashkuar janë regjistruar 7 vdekje me trombozë në 18,1 milionë vaksinime

Disa vende europiane kanë vendosur kufizime në përdorimin e vaksinës ditët e fundit për shkak të shqetësimeve për raste të rralla të trombozës.

Megjithëse incidenca e trombeve në mesin e pacientëve të vaksinuar nuk duket se ndryshon nga ajo e popullatës së përgjithshme, shqetësimi është përkeqësuar nga fakti se disa raste të trombozës shoqërohen me një kombinim shumë të pazakontë që shkakton trompozë.

Çrregullimi i rrallë, i cili është shkaktuar nga një mosfunksionim i sistemit imunitar, është vërejtur gjithashtu me përdorimin e heparinës, një substancë e përdorur gjerësisht në spitale si antikoagulant.

Sidoqoftë, siç njoftoi EMA javën e kaluar, ende nuk ka të dhëna të qarta nëse mosha ose gjinia janë faktorë të mundshëm të rrezikut që paraqet vaksina.