Gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve këtë vit do të jenë gjermano-franceze dhe kjo është shfrytëzuar nga Presidenti Emmanuel Macron për të hequr një paralele mes fushës së futbollit dhe fushës së politikës në Bruksel.

“Gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve vendosin përballë PSG me RB Leipzig dhe Olimpik Lion kundër Bajernit të Mynihut. Franca dhe Gjermania motorët e Europës, si në fushë, ashtu edhe në Bruksel”, shkroi Macron në rrjetet sociale.

Nuk është më sekret dhe as risi se ashtu si përballja në futboll, Gjermania dhe Franca po përballen edhe në politikë mbi rrugën që duhet të ndjekë Bashkimi Europian, ku Berlini ka fajësuar shpesh qëndrimet e Presidentit francez sa i takon zgjerimit, por edhe fërkimeve të tjera të brendshme. Macron nuk lë pa thumbur Merkelin.

“Kancelarja Merkel nuk do të më fajësojë mua për mbështetjen e Parisit dhe të Lionit të martën dhe të mërkurën”, mbyll reagimin e tij, Presidenti francez.

Dy gjysmëfinalistet gjermane, Bajern dhe Leipzig eleminuan në çerekfinale dy skuadra spanjolle, përkatësisht Barcelonën dhe Atletikon e Madridit, ndërsa PSG eleminoi italianët e Atalantës dhe surpriza ishte Lioni, që largoi edhe nga futbolli flamurin anglez që mbahej nga Mançester Siti.

Finalja e Ligës së Kampionëve luhet më 23 gusht në Lisbonë. Favoritë për të siguruar dy biletat e saj vlerësohen Bajern dhe PSG.