Ishte në ajër, por tashmë është zyrtare: Giorgio Chiellini ka njoftuar lamtumirën nga kombëtarja e Italisë. “Është normale që në moshën 38-vjeçare të ndalesh dhe të kuptosh gjërat. Nëse do të jem mirë, do të luaj dhe do të tërhiqem nga kombëtarja në ‘Wembley’, ku kam arritur majën e karrierës.

Do të ishte bukur ta lija fanellën e Italisë në një ndeshje feste si ajo ndaj Argjentinës. Për mua do të jetë e fundit, jam i sigurt. Le t’ua lëmë vendin të rinjve të talentuar”, – ka thënë Kielini. Italia do të ndeshet me Argjentinën më 1 qershor në edicionin e parë të “Finalissima”, kupa e krijuar nga UEFA, që vë përballë fituesin e Europianit kundër atij të Amerikës së Jugut.

Mbrojtësi i Juventusit ka lënë dyshime edhe për vazhdimin me klubin bardhezi: “Të shohim, të shijojmë vendin e 4-t dhe kemi edhe Kupën e Italisë. Pastaj do të kuptoj bashkë me dy familjet e mia, të shtëpisë dhe të fushës, çfarë do të bëj vitin e ardhshëm”.

Për Chiellinin, që në 2018-ën mori shiritin e kapitenit nga Buffon, ndeshja me Argjentinën do të jetë e 117-a me fanellën e Italisë. Janë 21 ndeshje si kapiten për të. Ai është i katërti në histori, bashkë me De Rossin, për numrin e ndeshjeve, ndërkohë që ka realizuar edhe 8 gola, ndërsa hyn në historinë e mbrojtëseve më të mëdhenj që ka pasur Italia.