Kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë një konference për shtyp ka bërë me dije koston e zgjedhjeve të 14 Majit si dhe listoi afatet deri në ditën e votimit.

Por ai u pyet edhe për një çështje të nxehtë sa i takon debatit brenda PD-së dhe kë do të njohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Celibashi tha se nuk mund ta japë dot një përgjigje.

Ai u shpreh se duhet të paraqitet kërkesa për regjistrim dhe më pas zhvillohet një proces shqyrtimi. Celibashi shtoi se në momentin që kjo çështje do të jetë për t’u diskutuar, do të bëhet e gjithë transparenca në lidhje me arsyetimin që do të jepet për vendimin që do të merret.

“Jam i sigurt që e kuptoni të gjithë që për këtë nuk kam asnjë përgjigje. KQZ mund t’ju thotë me siguri se kush ka qenë kryetar i PD në zgjedhjet e pjesshme të këtij, të Marsit dhe në 2021. Si do të jetë situata me regjistrimin e çdo subjekti zgjedhor do ta themi në momentin kur do të paraqitet kërkesa.

Mund ta bëni pyetjen në forma nga më të ndryshme, do të merrni të njëjtën përgjigje dhe jo sepse hezitoj për ndonjë arsye subjektive për ta dhënë përgjigjen, por objektivisht nuk mundtë jap një përgjigje sepse është pjesë e një procesi shqyrtues dhe do të ishte quhet dhe nga pamja jo etike, jo korrekte që vendimin ta prezantoja pa e marrë atë si vendim. Në momentin që kjo çështje do të jetë për t’u diskutuar, do të ekzistojë e gjithë transparenca në lidhje me arsyetimin për atë vendim që do të marrim. Nuk është fare momenti realisht për këtë çështje”, u shpreh Celibashi.