Drama “CODA”, është shpallur filmi më i mirë në ceremoninë e çmimeve Oskar që u mbajt mbrëmjen e djeshme në Hollivud të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me regji dhe skenar të Sian Heder, “CODA” ka në qendër njerëzit që nuk dëgjojnë dhe përpjekjet e tyre për të kuptuar botën.

Ndërkohë, aktori Troy Kotsur i filmit “CODA” është aktori (mashkull) i parë nga komuniteti i njerëzve që nuk dëgjojnë, që fiton një Oscar, teksa mori cmimin “Aktori më i mirë në rol joprotagonist”.

Edicioni i 94-të i Oscars u karakterizua me një ngjarje tjetër. Aktori Will Smith goditi në fytyrë komedianin Chris Rock në skenën e Oscars, pasi komediani bëri një shaka për gruan e aktorit, Jada Pinkett Smith. Shakaja e Rock ishte një referencë për pamjen e Jada Pinkett Smith, e cila u paraqit në këtë ngjarje me kokë të rruar.

Smith më pas kërkoi falje, gjatë fjalimit të tij pasi fitoi çmimin për aktorin më të mirë.

“Dua t’i kërkoj falje Akademisë dhe të nominuarve të tjerë”, tha Smith.

Ky ishte çmimi i parë Oscar i Smith për rolin e tij në King Richard, ku ka portretizuar babanë e dy tenisteve amerikane, Venus dhe Serena Williams.